Zjarri në Sazan, Peleshi: Situata vijon të jetë kritike, tymi po rrezikon qëndrimin në zonë

Vatra e zjarrit në ishullin e Sazanit mbetet aktive. Prej tre ditësh ishulli është përfshirë nga flakët të cilat kanë djegur sipërfaqe me shkurre dhe pemë.

Në zonën jugore të ishullit të Sazanit, që prej mesditës së të dielës, 61 efektivë të Forcës Detare dhe asaj Tokësore, por edhe punonjës të Agjencisë së

Zonave të Mbrojtura dhe forcat zjarrfikëse të Vlorës janë angazhuar për shuarjen e flakëve në ishull.

Terreni dhe bimësia e dendur kanë vështirësuar tej mase ndërhyrjen e trupave, ndërkohë që si një ish-repart ushtarak, rrezik paraqesin dhe municionet e pashpërthyera.

Përmes një postimi në Facebook, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se situata vijon të jetë kritike.

Postimi i Peleshit:

Trupat në terren vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Prej orëve të para të ditës ka rinisur puna për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit. Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, me pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë.
Tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë, ndërsa përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll./albeu.com