Zjarret, tragjeditë, nafta dhe miratimi i propozimit francez, çfarë ka ndodhur në një javë në vend

Kjo javë në vendin tonë ka shënuar një sërë zhvillimesh të rëndësishme sa i takon anës politike dhe ngjarje të rënda sa i takon sociale. Nga mbytja e një 18-vjeçari në ujërat e detit Adriatik duke shpëtuar dy të mitur, te zjarret në vend e miratimi i propozimit francez, albeu.com ju tregon më poshtë se çfarë ka ndodhur në një javë.

Miratimi i propozimit francez

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi sot propozimin francez që pritet t’i hapë rrugën Shkupit për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 68 ligjvënës votuan në favor të propozimit. Deputetët e opozitës maqedonase u larguan nga seanca para se të bëhej votimi. Miratimi u prit me duartrokitje në sallën e parlamentit. SHBA, BE dhe politikanë nga Shqipëria e Maqedonia përgëzuan Kuvendin maqedonas për vendimin historik. Ndërkohë mësohet se të hënën delegacioni shqiptar niset për në Bruksel, ndërsa të martën pritet që të zhvillohet konferenca e parë ndërqeveritare.

Vdekja e 18-vjeçarit Anri Kashiku

Një ngjarje tragjike ndodhi të enjten në vendin tonë. Një 18-vjeçar, Anri Kashiku, u mbyt në plazhin e Durrësit ndërsa shpëtoi vëllain e tij të mitur dhe shokun e këtij të fundit. Ngjarja e rëndë tronditi të gjithë opinionin publik, ndërsa edhe njëherë u soll në vëmendje mungesa e rojeve në kullat e vrojtimit. Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama shkoi për ngushëllime në familjen e 18-vjeçarit, ndërsa mbrëmë u firmos vendimi për ta shpallur të riun “Dëshmor Atdheu” për sakrificën e bërë.

Zjarret në vend

Për shkak të valës së të nxehtit afrikan, në vendin tonë vazhdimisht ka pasur vatra zjarri. Zjarri më masiv ka qenë ai në Malin e Çikës. Prej ditësh, zjarri ka djegur sipërfaqe të mëdha, ndërsa u rrezikua dhe fshati turistik Dhërmi. Greqia, ishte ajo që ndihmoi Shqipërinë me dy avionë për shuarjen e flakëve. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, pas ndërhyrjes nga ajri, ka njoftuar se zjarri është lokalizuar tashmë dhe po punohet për shuarjen e vatrës së fundit.

Nafta

Bordi i Transparencës është mbledhur të premten dhe ka vendosur që të ulë naftën me 2 lekë/litër. Pra nga 240 lekë/litër, tashmë konsumatorët do ta blejnë një litër naftë me 238 lekë.

Kjo është një tallje me shqiptarët pasi, sipas “S&P Global Platts”, treguesi Platss, që është referenca me të cilën punojnë importuesit shqiptarë dhe që merret si bazë nga Bordi i transparencës për llogaritjen e çmimit, ishte në 3 korrik 1,181 dollarë për ton. Ndonëse në rritje të lehtë me një ditë më parë, në raport me fundin e qershorit treguesi është ulur me rreth 100 dollarë për ton, apo me 8.3%.

Ndërsa në tregun vendas, çmimi me pakicë i naftës, i cili që prej fillimit të marsit caktohet nga Bordi i Transparencës është në nivelin 238 lekë/litër.

Sipas grafikut krahasues të çmimeve të naftës në bursa dhe në tregun vendas (Nafta në bursa dhe tregun vendas, Shkurt 2022- 13 korrik 2022), herën e fundit që nafta ishte në këto nivele në bursat ndërkombëtare, në datën 26 maj, në tregun vendas ishte 230 lekë për litër, ose 10 lekë më pak se aktualisht.

Ndërsa në raport me nivelet e njëjta, në mes të muajit prill, nafta sot është rreth 20 lekë më e shtrenjtë./albeu.com