Zjarri në Malin e Çikës, Peleshi: Po punohet për shuarjen e vatrës së fundit, një thirrje për qytetarët

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, përmes një postimi në Facebook, shkruan se po punohet për shuarjen e vatrës së fundit të zjarrit në Malin e Çikës.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë mjedisin dhe të mos i vënë zjarret me qëllim, duke iu rikujtuar se dënohen me ligj.

“Vijojnë prej orësh përpjekjet nga toka dhe ajri për të shuar flakët në të vetmen vatër që kemi në të gjithë territorin e vendit, atë në Malin e Çikës. Zjarri është vënë nën kontroll nga drejtimi i Palasës dhe po vijon puna në pjesën tjetër në drejtim të Himarës. Falë reagimit të shpejtë gjatë 24 orëshit të fundit janë shuar 11 vatra zjarri në qarqet e Fierit, Tiranës, Korçës e Shkodrës. Mirënjohje efektivëve të FA, forcave zjarrfikëse, por edhe vullnetarëve të angazhuar. Falenderime Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile për përgjigjen në kohë të shpejtë dhe ndihmën e dhënë.

Një thirrje për të gjithë qytetarët: Ruani mjedisin, ruani veten dhe të tjerët, duke bërë kujdes me ndezjen e zjarreve! Zjarrvënia e qëllimshme dënohet dhe përgjegjësit do të shkojnë para drejtësisë!”, ka shkruar Peleshi./albeu.com

 


Shtuar 15.07.2022 20:00