Zgjedhjet e 14 majit, Ambasada e SHBA: Autoritetet të garantojnë zgjedhje transparente, të lira dhe të sigurta

Ambasada Amerikane ka reaguar lidhur me zgjedhjet lokale që mbahen këtë të diel në Shqipëri.

Në një reagim zyrtar, Ambasada e Shteteve të Bashkuara u ka bërë thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të sigurojnë që veprimtaritë zgjedhore të kryhen në përputhje me ligjin shqiptar dhe me standardet ndërkombëtare.

“Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë që zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të sigurta. Ashtu si në procese të mëparshme, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë nga ambasada e SHBA do të udhëtojnë përreth vendit si vëzhgues në zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Drejtuesit e partive patën detyrimin të propozojnë kandidatë të pastër, të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe tani vendimi duhet të jetë në dorën e qytetarëve. Siç kemi bërë gjatë tre dhjetëvjeçarëve të shkuar, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin vullnetin e popullit shqiptar për demokraci të fortë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.


Shtuar 12.05.2023 16:12