Avokati Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit në PD, ndërsa deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha nuk shkoi në seli se ka frikë nga arrestimi.
Komentet Ngjela i bëri në News 24 ku ishte i ftuar. Ai shtoi gjithashtu se lëvizja e Berishës është antiligjore dhe nuk ka statut.
Avokati i njohur ka shtuar gjithashtu se pas katër muajve do të ketë zgjedhje të reja dhe Basha ka plotësisht mbështetjen e amerikanëve për të marrë fitoren, ndërsa Rama dhe Berisha sipas tij janë bërë bashë në këtë betejë.
Ngjela: Edhe Basha i ndihmoi në funksion të penalitetit. Pasi vuri dyert të blinduara, i mbylli. Po ti kishin shqyer ata, do kishin bërë vepër penale. Siç duket Saliut ia sqaruan ligjin, pasi e arrestonin në vend. Personi juridik është PD. Këta s’kanë krijuar parti. Ata thonë; jemi PD. Por PD ka struktura ligjore. E dini pse duhet të shkojë në gjykatë statuti?! Po sikur të thotë atje; parti naziste. Kush do e kontrollojë po mos të jetë gjykata?! Ndaj është arsyeja që kjo duhet të shkojë në gjykatë, që të marrë ligjshmërinë. Këta janë të panjohur. Pse nuk jua jep ajo, pasi nuk kanë personin juridik ku duhet të mbështetet ai statut. Kanë bërë kongres dhe referendum. Ata ndryshuan statutin në mënyrë joligjore. PD e Bashës i shpalli listat e kongresit. Po ky pse i mban sekret? Lëvizje të tillë janë fashiste apo komunistët. Ata dalin me siglën e PD, por ku e kanë të drejtën?!
Zheji: Duke u mbështetur te një nen i caktuar që thotë ¼ e anëtarësisë mund të vetëorganizohet për të thirrur kongresin. Ai thotë mora firmat, e mblodha Kuvendin, pas pati kuorum. Kongresi vendosi shkarkimin e Bashës dhe ndryshimet kushtetuese.
Ngjela: Cilët janë emrat? Atëherë janë klandestinë. Çdo lëvizje klandestinë, është ose naziste ose fashiste. Sali nuk shkon më se e kanë mësuar. Ai shkel ligjin. Deri tani e kanë toleruar se shteti është i dobët. Rama është me të. se po mos të jetë me të, s’del kurrë. Nga Basha është trembur, (Rama) pasi ka përkrahje amerikane. Pasi ia dha Ramiz Alia, se nuk ishte partia e tij, e mori partinë. Tani vjen vërdallë te selia se nuk hyn dot brenda. Për katër muaj ka zgjedhje të reja./albeu.com/