Zgjatja e mandatit për organet e vettingut, Balla: Po presim opinionin përfundimtar të “Venecias”

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka treguar sesi do të procedohet për zgjatjen e mandateve të organeve të vettingut.

Balla tha se është një procedurë që bëhet bashkë me opozitëm dhe shtoi se po presin dhe opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias.

“Kjo nuk varet në dëshirën time dhe as të shumicës. Kjo është një çështje procedurë parlamentare e duke qenë se është çështje teknike Kuvendi e ka kohën për ta diskutuar edhe marrë në shqyrtim. Deri në muajin maj, që i përfundon afati sipas parashikimit kushtetues, kuvendi i Shqipërisë ka një agjendë të vetën, por të mos harrojmë që në këtë agjendë është ndërthurur opinioni i Komisionit të Venecias. Kështu që në këtë mënyrë Kuvendi është i detyruar të presë opinionin zyrtar të Komisionit të Venecias. Procedura parlamentare paracakton edhe disa afate të tjera. Askush nuk mund të na vendosi në një presion afatesh grupin më të madh parlamentar të opozitës që është PD. Natyrshëm kjo çështje do të marrë kohën e vet”, tha Balla./albeu.com


Shtuar 9.12.2021 11:53