Ukraina ka nevojë për më shumë mbrojtje ajrore për të mbrojtur eksportet e saj të grurit dhe zonat në kufi me Rusinë, tha Presidenti Volodymyr Zelensky në një fjalim në Kiev në një samit ndërkombëtar për sigurinë ushqimore.
“Ka një mungesë në mbrojtjen ajrore dhe nuk është sekret”, tha Zelensky në takimin e grupit “Gruri për Ukrainën”, ku morën pjesë zyrtarë të lartë nga vendet evropiane, duke përfshirë presidentin zviceran Alain Berche dhe kryeministren e Lituanisë Ingrida Simonite.
Rusia gjatë natës nisi një sulm me 75 dronë në Ukrainë, sulmi më i madh i tillë që nga fillimi i luftës.
Më herët, konferenca e përbashkët për shtyp e tre liderëve u ndërpre kur u dëgjuan sirenat e sulmit ajror në Kiev.
Zelensky tha se partnerët e huaj të Ukrainës do t’i sigurojnë asaj anije që do të shoqërojnë kolonat e anijeve të ngarkesave që nisen nga portet e Ukrainës, duke garantuar sigurinë e tyre.
Ai shtoi se Kievi shpreson të zgjidhë problemin e mbrojtjes së pamjaftueshme ajrore përmes furnizimeve të reja nga partnerët e tij, por edhe duke rritur prodhimin e tij, për të cilin ai siguroi se ka pasur përparim.
“Nuk mund të jap detaje sot se çfarë po bëjmë dhe ku, por ka progres”, tha ai.
Kur u pyet për mobilizimet e shoferëve polakë dhe sllovakë të kamionëve që kanë bllokuar tranzitin rrugor të produkteve të Ukrainës ditët e fundit, Zelensky fajësoi politikën e brendshme të dy vendeve fqinje.
“Mendoj se në kufi ka vështirësi para së gjithash për shkak të disa politikave të zbatuara nga fqinjët tanë”, tha ai, duke shprehur besimin se problemi do të zgjidhej nëse vendeve fqinje do t’u jepej kohë për t’u marrë me situatën.