Presidenti i Ukrainës ripërsëriti thirrjen e tij për anëtarët e Bashkimit Evropian që të ndalojnë vizat për qytetarët rusë.
Ndërsa një diplomat rus paralajmëroi se çdo veprim i SHBA-së për ta shpallur Rusinë një “shtet sponsor të terrorizmit” mund të rezultojë në ndërprerje të plotë të marrëdhënieve diplomatike.
Të lidhura
None found
Kievi dhe Moska vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për rreziqet e luftimeve pranë centralit bërthamor të Zaporizhjas, për të cilin Kombet e Bashkuara thanë se duhet të çmilitarizohet zona rreth tij.
Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë dhe në të gjenden gjashtë nga 15 reaktorët që gjenden në Ukrainë.
Forcat ruse e kanë nën kontroll këtë central që nga ditët e para të pushtimit në Ukrainë.
Vendet perëndimore i kanë bërë thirrje Moskës që të tërheqë forcat e saj nga Zaporizhja.
“Objekti nuk duhet të përdoret si pjesë e ndonjë operacioni ushtarak. Në vend të kësaj, nevojitet një marrëveshje urgjente në një nivel teknik për një perimetër të sigurt të çmilitarizimit për të garantuar sigurinë e zonës”, tha më 12 gusht, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.
Në fjalimin e tij me video të natës më 12 gusht, Zelensky përsëriti thirrjen e tij për ndalimin e vizave të BE-së për qytetarët rusë, duke thënë se është e nevojshme që blloku të mos bëhet “supermarket”, i hapur për këdo që do të hyjë në BE.
“Duhet të ketë garanci që vrasësit rusë ose bashkëpunëtorët e terrorit shtetëror të mos mund të përdorin viza Shengen”, tha ai.
Viza Shengen është vizë që u jep njerëzve mundësi të udhëtojnë në Zonën Shengen, e cila përfshin 22 nga 27 shtetet anëtare të BE-së.
Disa vende të BE-së, përfshirë tri shtetet baltike dhe Republikën Çeke, kanë lëvizur tashmë për të kufizuar udhëtimin dhe vizat e punës për rusët, dhe ministri i jashtëm çek, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, ka mbështetur thirrjet për një ndalim të tillë në mbarë bllokun.
Përpjekja, megjithatë, ka fituar pak mbështetje deri tani mes anëtarëve të tjerë të BE-së.
Ministria e Jashtme ruse i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin do të dëmtoheshin keq dhe madje mund të ndërpriteshin nëse Rusia shpallet “shtet sponsorizues i terrorizmit” nga Senati i SHBA./rel
