Zelensky drejtuar Evropës: “Të gjithë ju sot jeni ukrainas”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar sërish komunitetin global për solidaritetin me Ukrainën, pasi ajo mbrohet nga një pushtim rus në shkallë të plotë.

Në një video të re të postuar në kanalin e tij Telegram, Zelensky u dërgoi një mesazh ukrainasve, duke thënë: “Sot, ne jemi të gjithë ushtarakë. Disa prej nesh janë ushtarakë, që i shërbejnë vendit tonë në ushtri.

“Të tjerët po shërbejnë si mjekë… të tjerë po punojnë për të mbrojtur fëmijët dhe familjet e tyre. Kjo është zemra jonë, zemra e Ukrainës, duke qëndruar së bashku kundër së keqes”.

Ai dedikoi minuta heshtje për të rënët dhe u bëri thirrje njerëzve të Evropës që të “dalin në rrugë” dhe të mbështesin Ukrainën. “Përkrahni luftën tonë, sepse nëse Ukraina nuk do të qëndrojë, Evropa nuk do të qëndrojë. Nëse ne do të biem, ju do të bini,” tha ai.

“Të gjithë ju sot jeni ukrainas”, përfundoi ai.


Shtuar 4.03.2022 21:24