Zelensky: Do e rimarrim Krimenë, është toka jonë

Ukraina do të rimarrë Krimenë, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky teksa iu drejtua sesionit “Mëngjesi i Ukrainës” në Davos të enjten.

“Nuk është një qëllim, është toka jonë. Krimea është deti dhe malet tona. Na jepni armët tuaja dhe ne do të rifitojmë atë që është e jona”, tha Zelensky kur u pyet nga paneli nëse ai synon të rimarrë Krimenë.

“Por ka ende një mundësi që Rusia të largohet nga ky territor, dhe jo vetëm ky. Askush nuk thotë se marrëdhëniet mund të rivendosen, por mund të shpëtojë jetën e njerëzve të tyre”, tha ai.

“Hendeku midis vendeve tona është i madh. Nuk është artificial. Është gërmuar nga Putin. Ai qëndron me këtë lopatë dhe do të mbetet me këtë lopatë në histori”, tha Zelensky.

I pyetur për mundësinë e negociatave të paqes, Zelensky tha: Bisedimet për paqen nuk janë paqe. Palët duhet ta kuptojnë atë. Për tre vitet e fundit ne bëmë gjithçka që mundëm për të çliruar tokën tonë përmes diplomacisë. Dikush nuk deshi, nuk pati kohë, nuk besoi, parashtroi kushte. Kishte shumë njerëz të tillë dhe qendra e gjithë kësaj ishte në Moskë.

Unë nuk e kuptoj me kë të flas. Nuk e kuptoj fare nëse ai (Putini) është gjallë, nëse ai merr vendime, apo kush po merr vendime. Nuk e kuptoj fare se si mund t’u premtoni liderëve evropianë një gjë dhe të filloni një luftë të nesërmen. /albeu.com


Shtuar 19.01.2023 11:36