Ioanna Lachana, zëdhënësja e EULEX-it në një prononcim për ABC, për gazetaren Linda Karadaku e ka cilësuar shqetësuese situatën në veri të Kosovës.
Lachana apelon për ndalim të dhunës dhe prishje të rendit publik.
Më tej, ajo shton se barrikadat e vendosura nga serbët në veri duhet të largohen menjëherë.
Lachana: Gjatë ditëve të fundit, kemi parë një përshkallëzim me një sërë sulmesh, duke përfshirë kundër Policisë së Kosovës, një patrulle vëzhguese të EULEX-it dhe gazetarëve. Gjatë këtyre ditëve, gjithashtu kemi qenë dëshmitarë të një pranie shqetësuese të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara. Kjo është e papranueshme. Prishja e rendit publik dhe dhuna duhet të ndalen tani.
Gjithashtu, ne ishim dëshmitarë të ngritjes së barrikadave. Siç ka thënë Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Borrell, ato duhet të largohen menjëherë. Më e rëndësishmja tani është që situata të çtensionohet menjëherë, të rivendoset qetësia dhe të ketë përmbajtje nga veprimet tjera provokuese. Kjo është para së gjithash në të mirën e popullatës lokale, qetësia dhe siguria e së cilës janë në rrezik për shkak të situatës aktuale. EULEX-i do të vazhdojë të kontribuojë për qetësinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë si dhe Misioni do të vazhdojë që të monitorojë për së afërmi situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Si u përshkallëzua konflikti në veri të Kosovës:
Disa serbë në veri të Kosovës, që nga data 10 dhjetor ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Sulmet ndodhën teksa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviç, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues të tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor. Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, i shtyu ato për në 23 prill të vitit të ardhshëm. Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu./abc