Pas ndeshjeve të para të Botërorit 2026, është publikuar edhe formacioni më i mirë i javës, në një raund që solli gola të bukur, ritëm të lartë dhe paraqitje individuale të spikatura.
Sipas vlerësimeve të Sofascore, 11-shja më e mirë e raundit të parë është ndërtuar me skemën 4-3-3, ndërsa çmimi për lojtarin më të mirë të kësaj faze shkoi pa asnjë dyshim për Lionel Messi-n.
Të lidhura
None found
Ylli argjentinas e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në Botëror, duke shënuar het-trik në suksesin 3-0 të Argjentinës kundër Algjerisë. Për këtë paraqitje, ai u vlerësua me notën maksimale 10 nga Sofascore.
Në repartin ofensiv, përkrah Messi-t janë përfshirë edhe dy lojtarë që patën ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e skuadrave të tyre.
Folarin Balogun ishte protagonist në fitoren 4-1 të SHBA-së ndaj Paraguait, duke realizuar dy herë. Sulmuesi amerikan u shfaq vazhdimisht kërcënues, regjistroi pesë goditje në portë dhe e mbylli ndeshjen me notën 9.
Ndërkohë, Elijah Just shkëlqeu në barazimin 2-2 të Zelandës së Re ndaj Iranit. Ai realizoi të dy golat e ekipit të tij dhe dha kontribut edhe në mbrojtje me disa rikuperime topi. Treshja Messi-Balogun-Just solli gola, ritëm dhe saktësi të lartë përpara portës.
Në mesfushë, Pedri ishte figura qendrore e Spanjës në barazimin pa gola kundër Kepit të Gjelbër. Mesfushori spanjoll kompletoi 86 pasime të sakta, krijoi pesë raste dhe kontrolloi ritmin e lojës në qendër të fushës.
Krah tij renditet Hwang In-beom, i cili udhëhoqi Korenë e Jugut drejt fitores 2-1 ndaj Çekisë me një gol dhe një asistim. Roli i tij ishte vendimtar si në ndërtimin e aksioneve, ashtu edhe në fazën sulmuese.
Mesfushën e plotëson Yasin Ayari, autor i dy golave në fitoren e thellë 5-1 të Suedisë ndaj Tunizisë. Suedezi ra në sy për energjinë e tij dhe lëvizjet e mençura në zonë.
Edhe në repartin defensiv pati paraqitje të forta, ndërsa në krahun e djathtë u veçua Richie Laryea në barazimin 1-1 të Kanadasë ndaj Bosnje-Hercegovinës. Ai fitoi shumicën e dueleve, bëri disa ndërhyrje kyçe dhe madje goditi edhe shtyllën.
Në portë, vendi i takoi Vozinha-s pas paraqitjes së shkëlqyer përballë Spanjës. Në barazimin 0-0, portieri i Kepit të Gjelbër realizoi shtatë pritje, shumicën në distancë të afërt, duke e mbajtur portën të paprekur kundër një prej sulmeve më të forta të turneut.
Shfaqja e tij mori menjëherë vëmendje të madhe dhe u kthye në një nga momentet më të komentuara të raundit të parë të Kupës së Botës 2026.
Formacioni i plotë: Vozinha, Laryea, Schlotterbeck, Diney, Rezaeian, Ayari, In-beom, Pedri, Just, Balogun, Messi.
