Nëse futbollistët e Kupës së Botës do të renditeshin sipas sprovave të jetës në fëmijëri, historia e Julián Quiñones do të ishte mes atyre më të jashtëzakonshmeve.
Sulmuesi 29-vjeçar, që realizoi golin e parë të Kupës së Botës 2026 në sfidën hapëse të Meksikës ndaj Afrikës së Jugut, përfaqëson shembullin e një njeriu që doli mbi varfërinë dhe ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme falë futbollit.
Të lidhura
None found
Aktualisht pjesë e Al Qadsiah dhe përfaqësues i Kombëtares së Meksikës, Quiñones ka lindur në Magüi Payán, një zonë e largët e Kolumbisë pranë kufirit me Perunë. Edhe pse në tetor të vitit 2023 mori shtetësinë meksikane, prejardhja e tij mbetet thellësisht kolumbiane.
Vendi nga vjen – grupe guerile dhe kartele droge
Magüi Payán është një vend i varfër, i lënë pas dore për vite të tëra nga autoritetet kolumbiane. Sipas dëshmive të mbledhura në dokumentarin e gazetarit John Sutcliffe për ESPN Mexico, të rinjtë e asaj zone zakonisht përballen me tri rrugë: futbollin, grupet guerile ose trafikun e drogës.
Kur rajoni u godit në vitin 2017 nga një masakër ku mbetën të vrarë 13 persona, Quiñones ishte larguar prej kohësh nga aty.
Nëna e tij, Gloria, vazhdonte të jetonte në Kolumbi. Ajo e rriti e vetme, bashkë me tri vajzat e tjera të familjes, pasi futbollisti nuk e njohu asnjëherë babanë.
“Gjithmonë e ka ndjerë mungesën e figurës së babait. E kishte të vështirë të pranonte që ai nuk ishte pranë tij”, ka treguar Gloria.
Për këtë boshllëk ka folur edhe vetë lojtari.
“Ishte e vështirë, sepse ndonjëherë ke nevojë për një figurë atërore që të të udhëheqë dhe të të tregojë se cila është rruga e duhur”, ka rrëfyer ai.
Rajoni i Nariños, ku u rrit Quiñones, është konsideruar për vite me radhë një ndër zonat më problematike të Kolumbisë, aty ku minierat ilegale të arit ekzistonin krah laboratorëve të prodhimit të kokainës.
Ëndrra për tu bërë futbollist
Në një realitet të tillë, dëshira për t’u bërë futbollist ishte shumë më tepër sesa një ambicie sportive; ajo përfaqësonte një rrugëdalje nga varfëria dhe një shans për të ndryshuar jetën e familjes.
Që i vogël, Julián ishte i lidhur pas futbollit. Ai luante me çfarëdo që mund të përdorej si top dhe improvizonte porta me objekte të ndryshme. Ndërkohë ndihmonte edhe gjyshen në punët e shtëpisë, por futbolli mbetej pasioni i tij më i madh.
E ëma kujton se ai nuk u përfshi kurrë me banda apo grupe problematike.
“Ai studionte dhe shkonte direkt nga shtëpia në fushë. Futbolli ishte gjithçka për të”, ka treguar ajo.
Në moshën 16-vjeçare, me këpucë të konsumuara aq sa i dukeshin gishtërinjtë e këmbëve, Quiñones mori pjesë në një provë të organizuar nga akademia Fútbol Paz. Aty ai i mahniti trajnerët, duke realizuar katër gola në një ndeshje.
Klubi kishte lidhje me Tigres UANL dhe drejtuesit vendosën ta afronin menjëherë.
“Kur i pyetnim të rinjtë pse dëshironin të luanin futboll, përgjigjja e Juliánit ishte e qartë: ‘Dua të ndihmoj familjen time’”, kujtojnë drejtuesit e projektit.
Transferimi
Vetëm pas një sezoni, ai kaloi në futbollin meksikan. Me ekipin rezervë të Tigres në Apertura 2015, shënoi 15 gola në 17 ndeshje dhe emri i tij nisi të fitonte vëmendje si në Meksikë, ashtu edhe në Kolumbi.
Kolumbia e ftoi në ekipet e moshave dhe ai luajti në Kupën e Botës U-20 në vitin 2017. Megjithatë, kur erdhi momenti për të zgjedhur kombëtaren në nivelin e të rriturve, Quiñones vendosi të luante për Meksikën, vendin që i dha mundësinë të ndërtonte karrierën.
“Askush nuk është profet në vendin e vet. Më dhembte ta shihja larg, por e dija se po ndiqte ëndrrën e tij. Një ëndërr që ndryshoi jetën tonë”, deklaroi ajo.
Karriera e tij është zhvilluar në rritje të pandërprerë. Ai ka luajtur me sukses për Tigres UANL, Atlas FC dhe Club América, duke fituar gjashtë tituj kampionë dhe katër trofe Campeón de Campeones.
Linda e Mesme
Dy vite më parë, nën drejtimin e trajnerit Míchel González, ai u transferua në Arabinë Saudite për t’iu bashkuar Al Qadsiahit, një ekipi të sapongjitur në elitë.
Që prej mbërritjes në Lindjen e Mesme, Quiñones ka vijuar të shkëlqejë. Me fanellën e klubit saudit ai ka shënuar 53 gola, ndërsa vetëm në sezonin e fundit realizoi 33, duke lënë pas në renditjen e golashënuesve emra si Cristiano Ronaldo dhe Ivan Toney.
Nga rrugët e varfra të Magüi Payánit deri në skenën më të madhe të futbollit botëror, historia e Julián Quiñones mbetet një dëshmi se talenti, puna dhe këmbëngulja mund të triumfojnë edhe përballë kushteve më të vështira të jetës.
