“Zbërthehet” gazetari: Ky është numri i njerëzve që punonin për Ervis Martinajn, sa para i paguante buxhetit të shtetit

Gazetari Basir Çollaku thotë se rasti i agjentit që ndihmoi Ervis Martinajn të largohej nuk është i pari parë që policia bashkëpunon me krimin.

Në një intervistë për Euronews Albania, gazetari u shpreh se Ervis Martinaj kishte 16 mijë të punësuar kur bastet ishin zyrtare dhe paguante dhjetëra milionë euro për buxhetin e shtetit.

Sipas tij, kryeministri ka pasur dijeni për shumë nga zhvillimet që kanë ndodhur madje arsyeja kryesore pse u shkarkua drejtori i policisë ishte zhdukja e Martinajt.

“Dhe ka jo pak të akuzuar në oborrin e kryeministrit që janë të interesuar për biznesin e basteve. Nuk është rastësi që me zhdukjen e Martinajt të rikthehet interesimi për biznesin e basteve. Kryeministri ka dijeni, arsyeja kryesore e shkarkimit të Nanos ishte zhdukja e Martinajt”, tha gazetari.

9 gushti është dita kur familjarët e Ervis Martinajt humbën kontaktet me të afërmin e tyre. Prej orës 20:00 të asaj dite, ata nuk kanë kontaktuar me Martinajn edhe nëpërmjet personave të tretë.

Një ditë më pas, familjarët denoncuan zhdukjen në komisariatin e Kurbinit dhe janë të frikësuar se diçka e keqe mund t’i ketë ndodhur, çka ngre dyshime se ai mund të jetë vrarë. Prokuroria e Kurbinit e ka regjistruar çështjen vetëm për akuzën e rrëmbimit.

Pas denoncimit dhe pas marrjes së kallëzimit nga prokuroria, janë dy pista zyrtare ku po ndiqet hetimi. E para, është ajo e inskenimit të zhdukjes dhe e dyta, rrëmbimi pa pasojë.