Zbardhet atentati në Shkodër ndaj Selami Brahimit, autori ishte arratisur drejt Gjermanisë, arrestohet në Berlin

Policia e Shkodrës ka zbardhur atentatin e ndodhur dy ditë më parë në lagjen “10 Korriku”, ku u plagos me armë zjarri shtetasi Selami Brahimi.

Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, i identifikuar si Sulejman Kapllani.

Ky i fundit ishte arratisur drejt Berlinit pas ngjarjes.

“Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar Sulejman Kapllani, 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.

Sulejman Kapllani dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin Selami Brahimi, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër”, njofton policia.

Ndaj Kapllanit, Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit./albeu.com


Shtuar 10.02.2024 16:34