Arrestimi në Gjermani i atentatorit të Selami Brahimit, Balla: Brenda 40 ditëve janë kapur 20 të kërkuar në nivel ndërkombëtar

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar lidhur me arrestimin në Gjermani të Sulejman Kapllanit, i cili dyshohet se plagosi me armë zjarri dy ditë më parë, Selami Brahimin në Shkodër.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla u shpreh se do të nisin procedurat për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Ndër të tjera ai theksoi se bashkëpunim po zgjerohet edhe me vendet ku më parë Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.

“Dita-ditës po konsolidohet bashkëpunimi i Interpol Tiranës me agjencitë partnere për shkëmbimin e informacionit me qëllim gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Ky bashkëpunim po zgjerohet edhe me vendet ku më parë s’kemi pasur marrëveshje ekstradimi, me ato vende që deri tashmë kanë shërbyer si vende të “sigurta” për shumë të kërkuar”, shprehet ai.

Ministri po ashtu bën më dije se në 40 ditët e para të këtij viti janë zhvilluar 20 operacione nga Interpol Tirana dhe strukturat e Policisë së Shtetit, dhe koordinimi i vazhdueshëm me partnerët, ka lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga në disa qarqe të vendit 20 të kërkuar në nivel ndërkombëtar.

Reagimi i Ballës:

Përgëzime Policisë së Shtetit, Interpol Tirana?Interpol Wiesbaden dhe Prokurorisë së Jurisdiksionit të Përgjithshëm Shkodër për zbardhjen dhe ndalimin e personit të dyshuar për një ngjarje kriminale të ndodhur 2 ditë më parë në Shkodër

Dita-ditës po konsolidohet bashkëpunimi i Interpol Tiranës me agjencitë partnere për shkëmbimin e informacionit me qëllim gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Ky bashkëpunim po zgjerohet edhe me vendet ku më parë s’kemi pasur marrëveshje ekstradimi, me ato vende që deri tashmë kanë shërbyer si vende të “sigurta” për shumë të kërkuar.

Përgëzoj Interpol Tiranën dhe strukturat e Policisë së Shtetit në të gjitha nivelet, për operacionet e njëpasnjëshme, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe ekstradimin e tyre drejt vendeve ku ata kanë kryer veprimtarinë kriminale.

Vetëm gjatë 40 ditëve të para të këtij viti, janë zhvilluar 20 operacione nga Interpol Tirana dhe strukturat e Policisë së Shtetit, dhe koordinimi i vazhdueshëm me partnerët, ka lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga në disa qarqe të vendit 20 të kërkuar në nivel ndërkombëtar.