Zbardhen negociatat Rithemelimi-PS, çfarë “fituan” demokratët

Ka nisur Konferenca e Kryetarëve, ku në fokus të diskutimit do të jetë ngritja e komisioneve hetimore, që është kërkuar prej disa kohësh nga opozita.

Përveç socialistëve, Elisa Spiropali, Ermonela Felaj, Bledi Çuçi, Klotilda Bushka, Kodheli, Pëllumbi, Bumçi dhe Naço, të pranishëm në mbledhje janë dhe demokratë.

Mes tyre, nënkryetarët e Rithemelimit, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj.

Mësohet se mes Rithemelimit dhe PS, është dakordësuar që të ngrihen dy komisione hetimore, nga 8 që ka kërkuar opozita.

Më konkretisht është dakordësua që të ngrihen komisionet hetimore për sistemin TIMS dhe koncensionet në shëndetësi.

45 deputetë të opozitës kërkuan rreth dy vite më parë, ngritjen e dy komisioneve hetimore për skandalin e ndërhyrjes në sistemin TIMS dhe të dhënat personale, si dhe për 4 kontratat e koncesionit në fushën e shëndetësisë.

Një tjetër kërkesë që opozita shtroi në tryezë, është edhe ajo e komisionit të reformës zgjedhore, ku kërkoi përfaqësi të bashkëkryetarit.

Por kjo kërkesë e tyre nuk është pranuar, pasi për socialistët do të duhet të pritet rezultati që do të prodhojë komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore.

Pas kundërshtisë së mazhorancës, opozita vijoi rezistencën në Kuvend, ku prej muajsh kanë krijuar kaos dhe tensione të një pas njëshme.

Por pas këtyre tensioneve, nga ndërkombëtarët është kërkuar rikthimi i normalitetit parlamentar dhe negociatat  janë arritur nga ndërhyrja e kryeparlamentares Lindita Nikolla.

Ndërkohë që mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar Socialist e cilësoi një sinjal të mirë pjesëmarrjen e opozitës për t’u rikthyer në normalitet.

Lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, Çuçi tha se kjo e drejtë kushtetuese nuk i është mohuar.

“Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore. Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar”, ka thënë Çuçi.

Më tej, ai çmoi rolin e opozitës në Parlament, duke përmendur edhe ligje që duan shumicë të cilësuar.

“Ka një sërë ligjesh që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar siç është amnistia penale, por edhe ligje të tjera që lidhen edhe me rrugën e integrimit në BE e jo vetëm. Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale”, tha Çuçi.

Por kundër këtyre negociatave, ka reaguar edhe grupimi i PD-së së Lulzim Bashës.

Enkelejd Alibeaj ka thënë se PS dhe Rithemelimi, janë duke përgatitur marrëveshje okulte mes tyre në kurriz të shqiptarëve.

Burime për Vizion Plus, bëjnë me dije se nesër do të mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve që të miratojë ngritjen e komisioneve, pasi të rishikohet objekti.


Shtuar 12.03.2024 14:26