Xhaferi flet pas akuzave të opozitës për fjalimin shqip në Parlamentin Evropian

Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka theksuar se nuk ka shkelur Kushtetutën kur ka folur në gjuhën shqipe në Komitetin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

“E kam shfrytëzuar të drejtën time natyrore, të lindur sikur të çdo njeriu në këtë tokë. Në cilëndo gjuhë të flisja unë përfaqësoja Kuvendin e Maqedonisë në mënyrën sa më të ndritshme”, ka theksuar Xhaferi për TV24.

Ai shtoi se Kushtetuta është fleksibile, nuk pengon dhe nuk kufizon shfrytëzimin e ligjit natyror, që sipas tij, është edhe e drejtë e përdorimit të gjuhës amtare në nivel ndërkombëtar.Ai po ashtu ka shtuar se është e drejt e tij që të përdor gjuhën që e di më së miri.

VMRO-DPMNE dhe “E Majta” kanë bërë kërkesën e interpelancës për kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Sipas tyre, Xhaferi e ka shkelur Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe për këtë arsye duhet të largohet nga pozita.

“Duke e pezulluar gjuhën maqedonase si ekskluzive në komunikimin ndërkombëtar ai e ka sulmuar nga brenda. Me këtë jo vetëm që e ka shkelur Kushtetutën, por e ka ofenduar popullin maqedonas.”, deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova.


Shtuar 8.07.2021 22:18