Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, ka pushuar çështjen ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishaj, që i implikonte këta të dy në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame me eksploziv më 27 shkurt të vitit 2005.
Kjo ishte hera e dytë që Prokuroria e Posaçme vinte me kërkesë për pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ka prova që implikojnë këta dy personazhe të botës së krimit në vrasjen e Lames.
Herën e parë, trupa e gjykimit ia ktheu kërkesën prokurores Elida Kaçkini, duke kërkuar nga kjo e fundit hetime shtesë.
Akuza ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishaj, u ngrit pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi. Mbi dëshminë e këtij të fundit, Plaurent Dervishaj dhe Lulzim Berisha, akuzohen dhe për vrasjen e Klodian Saliut, ngjarje e ndodhur më 26 shkurt të vitit 2005, një ditë pas vrasjes së Lames.
Plaurent Dervishaj, është kunati i Lulzim Berishës dhe konsiderohen si dy nga personazhet kryesorë të bandës së Durrësit. Dervishaj ndodhet në burg në Shqipëri, pas deportimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Lulzim Berisha ndodhet në burg në Spanjë në pritje të esktradimit në Shqipëri.
Presidenti i Federatës së Boksit Vajdin Lame dhe truproja i tij, Artan Arsi, u vranë më 27 shkurt të vitit 2005, rreth orës 24:00 në njërën nga kullat mbrapa ish-stadiumit “Qemal Stafa”, sot “Air Albania”.
Dy viktimat janë përballur me një sasi të konsiderueshme eksplozivi, sapo kanë vënë këmbë në ashensor.
Tritoli ishte i pajisur me telekomandë dhe qe vendosur në një nga anët e ashensorit, duke realizuar shpërthimin në katin e pestë të kullës, ku dhe banonte Lame. Presidenti i Federatës së Boksit ka vdekur në vend, ndërsa Arsi gjatë rrugës për në spital.
Për ngjarjen e shkurtit të vitit 2005, janë marrë të pandehur dhe Emiljano Shullazi, Indrit Rusi, Viktor Ymeri dhe Indrit Taullai.