Vrasja e Pjerin Xhuvanit 4 ditë para zgedhjeve, Gjyqi i Paplekajt drejt mbylljes, sot paraqiten konkluzionet

Gjyqi i Paplekajt është drejt mbylljes. Mësohet se Gjykata e Elbasanit ka dhënë sot konkluzionet për ngjarjen ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani në Elbasan.
Pjerin Xhuvani është vrarë katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit në vitin 2021.

Një javë më pare Prokuroria dha pretencën dhe kërkoi 25 vite burg për Paplekajn. Ndërsa për punonjësit e policisë së akuzuar për shpërdorim detyre prokuroria kërkoi 1 vit burg.

Në konkluzionet e sotme mbrojtja argumentoi se vrasja e Pjerin Xhuvanit është kryer në kushtet e vetëmbrojtjes duke faktuar me dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, pamjet filmike dhe ekspertizat ligjore. Sa më sipër mbrojtja kërkoi pafajësi për Arber Paplekajn, shkruan Top Channel.

Sipas mbrojtjes prokuroria nuk ka marrë parasysh as eskpertizën mjeko ligjore të kërkuar nga vetë organi i akuzës ku mjekët shprehen se në momentin e ngjarjes Arbër Papleka ka qenë në gjendje të rënduar psikike( e cilësuar si afekti fiziologjik) çka ka sjellë vetëdije të dobësuar dhe e shkaktuar nga rrethanat e një sulmi të papritur i cili ndodhi në pak sekonda dhe ku u desh nje reagim i menjëhershëm i ndodhur nën bresherinë e plumbave për të mbrojtur jetën.

Edhe avokatet mbrojtës të punonjësve të policisë kanë kërkuar pafajësi për klientët e tyre. Sipas tyre prokuroria nuk ka vërtetuar dhe faktuar shpërdorimin e detyrës. Madje avokatët kanë vënë në dyshim standardet e prokurorisë e cila, sipas tyre, nuk përfshin në gjykim një police të plagosur në vendin e ngjarjes. Ndërsa policët e tjerë që ishin aty së bashku gjykohen.

Në këtë seancë është paraqitur edhe një deklaratë e polices së plagosur në ngjarjen e 21 prillit 2021. Xhensila Sota kërkon që Arbër Paplekaj të mos gjykohet për plagosjen e saj. Kjo deklaratë i është shtuar dosjes si shprehje vullneti e Sotas.


Shtuar 7.07.2023 13:14