Vrasja e Martin Canit/ Apeli i ministrit Hoxha: Ndalni dezinformimet, po tentohet të shfrytëzohet politikisht, mbështes deklaratën e policisë

Pas deklaratës së Policisë së Shtetit, në lidhje me ngjarjen pranë shkollës “Fan Noli”, ku humbi jetën 14 vjeçari Martin Cani, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.

Hoxha u bën thirrje mediave që të ndalin dezinformimet në lidhje me këtë krim të rëndë, teksa insiston se nuk ka pasur një autor të dytë në këtë ngjarje.

Gjithashtu, ministri shton se duhet të ndalet menjëherë politizimi apo tregtimi mediatik i vdekjes.

Postimi i Ministrit:

Mbështes plotësisht në frymë dhe në gërmë deklaratën e sotme të Policisë së Shtetit dhe i bashkohem thirrjes për mediat, që të ndalin valën e dizinformimit mbi autorësinë e vrasjes së nxënësit të shkollës “Fan Noli” dhe në përgjithësi mbi komunikatat e Policisë së Shtetit, siç bënë edhe në rastin e Pogradecit duke helmuar opinionin publik.

Konfirmoj edhe me përgjegjësinë time politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje.

Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik.

Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit.

Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë bllofin e madh të politizimit apo tregtimit mediatik të vdekjes.

Konstatoj se përpjekja për të shfrytëzuar politikisht dhe mediatikisht situata të tilla, rritet bashkë me të dhënat pozitive të punës së policisë.

Histeria dizinformuese mesa duket motivohet nga rënia e përvitshme e numrit të vrasjeve dhe kur ndodh një tragjedi e tillë, të zakonshmit hidhen përpjetë sapo u vjen rasti! Sidoqoftë, e vërteta është e qartë si drita e diellit në komunikatat e Policisë së Shtetit, jo në lojën politike apo mediatike me vdekjen të atyre që ky popull ua ka marrë dorën prej kohësh.