Vrasja e ish-deputetit në Shkodër, 25 mijë euro ofron familja për këdo që jep informacion për autorin

Familja e ish-deputetit që u vra në Shkodër në nëntor të vitit të kaluar, Pashko Ujkës, ka ofruar 25 mijë euro për këdo që jep informacion për autorin e vrasjes.

Vajza e të ndjerit Ledisia Ujka thotë se kanë vendosur numrin e tyre personal dhe jo të policisë për arsye se nuk kanë besim te ata.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia arrestoi dy të dyshuar, por më pas rezultoi se ditën kur ndodhi krimi ata ishin në Kosovë. Ne dëshminë e tyre Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola janë shprehur për policinë se mbrëmjen e ngjarjes kanë qenë në Kosovë. Kelmendi shprehet se Kola e ka ftuar që të shkojnë në Kosovë për të  blerë veshje.

“Ne kemi vendosur shumën si familje dhe ofrojmë 25 mijë Euro për çdo persona që ka fakte konkrete dhe prova për të gjetur vrasësin e babit tim. Këto lekë janë lekë që shkojnë për shpirt të tij, për gjak të tij sepse ai ka punuar gjithë jetën dhe ne do bëjmë të pamundurën që të vendoset drejtësia për të. Kemi vendosur numrin tonë sepse ne nuk kemi besim te policia. Policia na ka thënë që 99%, pas 2 javëve, ngjarja në shtet është e zgjidhur”, tha vajza në një intervistë për emisionin “Uniko”.

Kjo histori duket se do të marrë një tjetër drejtim, pasi Ledisia Ujka ka theksuar gjithashtu se dosjen e vrasjes së Pashko Ujkës do ta hapin edhe në Itali për arsye se ish-deputeti ka patur nënshtetësi italiane.

“Me prova, me gjëra çfarë kemi mbledhur, me gjithçka çfarë ne dimë dhe çfarë kemi gjetur. Me shtete të tjera sepse do angazhojmë edhe shtetin italian sepse ai kishte nënshtetësi italiane. Edhe në shtetin amerikan meqë kemi parë që autoritetet e Shqipërisë, si policia, si prokuroria, si gjykata, askush nuk ka bërë asnjë gjë për të zbardhur këtë ngjarje. Ne kemi marrë të gjithë dosjen me provat për vrasjen e babit tim dhe e kemi dërguar për ta përkthyer dhe pastaj do të hapet si dosje dhe në Itali, në prokurorinë e Italisë”, u shpreh vajza./albeu.com/


Shtuar 8.02.2022 13:58