Vrasja e Edmond Papës një javë më parë në Tiranë vijon të mbetet pa autor. Ngjarja ndodhi brenda një kafeje, por dëshmitë e personave që janë ndodhur në vendin e ngjarjes kanë zbuluar një situatë tjetër. Edhe pse pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja ka telefonuar dy here policinë, në dëshminë e tij ai ka thënë se i përgjigjej sekretaria.
Teksa shënjestra ishte ulur për të pirë kafe, agresori i maskuar me kapuç e qëlloi duke e lënë të plagosur rëndë. Në dëshminë e tij, siç raporton A2CNN, pronari i lokalit i identifikuar vetëm me iniciale tha se vetë 49-vjeçari e kishte lajmëruar se ishte plagosur. Madje përveç Policisë, nuk u ishte përgjigjur as ambulanca, ndaj ishte e kunata ajo që e dërgoi vetë në spital. Por nuk mundi që t’i shpëtonte jetën.
“Kam qenë brenda në lokal dhe isha në banak. Kam dëgjuar zhurmë dhe mendova ishin fishekzjarrë. Pashë një person me kapuç në kokë dhe pastaj dola nga banaku për te dera dhe në hyrje të lokalit kam parë viktimën, i cili me tha që ishte plagosur dhe të lajmëroja ambulancën. Ishte ora 16:25 dhe telefonova numrin 129 dhe më ka dalë sekretaria, i rashë dy herë. Nuk po më përgjigjeshin dhe shkova te banesa e vëllait të viktimës dhe aty doli kunata e viktimës dhe i kam thënë asaj që është plagosur kunati. U ktheva në lokal dhe hoqa xhupin dhe ia vendosa te koka viktimës dhe i vendosa një peshqir te plagët. Kunata e tij mori makinën për ta transportuar në spital pasi ambulanca nuk kishte ardhur akoma, më pas erdhi policia dhe pastaj ambulanca që e mori dhe çoi në spital”, tha ai në Polici.
Nga ana tjetër kunata e 49-vjeçarit tregoi se si Papa kishte mbërritur në shtëpi rreth orës 10, së bashku me nënën e tij.
“Në orën 10:00 në shtëpi kanë ardhur vjehrra së bashku me kunatin. Ata kanë ardhur në Tiranë me automjetin e kunatit tim, pasi do të kryenin disa vizita mjekësore të vjehrrës. Rreth orës 16:15, kunati më kërkoi që t’i jepja për të ngrënë vjehrrës, para se ta çonte për vizitë mjekësore. Kur isha duke i dhënë për të ngrënë vjehrrës dhe në ato momente dëgjova të shtëna. Kujtova se mos ishin fishekzjarrë, por më pas ra zilja e portës dhe ishte pronari i lokalit, ai më tha të lajmëroja ambulancën pasi ishte plagosur kunati im në lokalin e tij. Telefonova ambulancën dhe pastaj mora automjetin e kunatit tim për ta dërguar në spital, por më pas erdhi Policia dhe ambulanca që e mori.”
Policia mori në pyetje dhe vëllain e Papës, i cili tha se nuk kishte parë asnjë shqetësim te 49-vjeçari dhe shprehu me siguri se i vëllai nuk ruhej nga askush. Sa i përket hetimeve, Policia ende nuk ka mundur të zbulojë identitetin e autorit, i cili nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë dyshohet se është larguar në këmbë. Po ashtu, 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.