Policia ka sekuestruar armën dhe makinën e përdorur nga Habib Rexha, në vrasjen e Arjan Gosës, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në Kavajë.
Ka qenë pikërisht 31-vjeçari ai që ka treguar se ku e kishte fshehur armën. Habib Rexha ka treguar se pak pas ngjarjes i ka lënë me qëllim në këtë zonë në afërsi të pistës “Iliria” në Durrës, si makinën dhe armën, që të humbte gjurmët.
Ndërkaq, edhe automjeti i përdorur nga Rexha është gjetur po në Durrës.
Habib Rexha u vetëdorëzua dje në polici. Para se të dorëzohej ai bëri një video me të atin, Fadil Rexha, ku njoftoi se pas bisedës me familjarët është bindur të vetëdorëzohet në polici.
Sipas dyshimeve, ekzekutimi ka ndodhur për hakmarrje, pasi vëllai i Arian Gosës vrau vëllanë e Habib Rexhës më datën 29 mars.
Arjan Gosa u ekzekutua me plumb në kokë teksa ishte duke konsumuar kafe me të atin në një lokal në Kavajë. Shkak i ngjarjes dyshohet se është hakmarrja.
Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili së bashku me Edmond Gosën (vëllain e Arjan Gosës) humbën jetën pas një konflikti banal me njëri-tjetrin./albeu.com/