Votohen anëtarët e rinj të Këshillit të Sigurimit, pjesë e garës edhe Shqipëria

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton ditën e sotme për të zgjedhur 5 anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë për 5 vendet. Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi është i fshehtë.

Për të siguruar mbështetjen e nevojshme Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka ka zhvilluar ditët e fundit një sërë takimesh në New York.

Së fundmi ajo është pritur nga përfaqësuesit e përhershëm të 5 vendeve anëtare me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, por edhe me përfaqësues të vendeve të tjera. Xhaçka i ka njohur ata me prioritetet e Shqipërisë pas marrjes së këtij vendi.

Këshilli i Sigurimit është një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.

Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.

Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Shtuar 11.06.2021 10:06