Në një konferencë për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i PS Blendi Klosi, ka folur në lidhje me votën e emigrantëve, ku shprehet se mazhoranca ka vullnet për realizimin e saj, ndërsa tha se edhe vizita e kryeministrit Edi Rama në 12 maj në Athinë, është pikërisht për energjizimin e diasporës dhe ftesën që i bëhet atyre për t’iu bashkuar vizionit të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030.
“Në ndryshimet e bëra në Kod është sanksionuar vota e emigrantëve. Vizita e Ramës në Athinë ka të bëjë edhe me këtë dimension, për kontaktet me diasporën për të pasur një rienergizim të marrëdhënieve të emigrantëve me shtetin shqiptar dhe ftesën për duhet bërë aty që të jenë pjesë e vizionit të PS dhe Ramës për Shqipërinë e vitit 2030.
Kemi vullnet për votën e emigrantëve, mazhoranca e ka shprehur një gjë të tillë. Kjo është një votë që ka nevojë për një procedurë standarde dhe një debat mbi mënyrën se si do të realizohet. Jemi të dëshiruar për një gjë të tillë. Sa i përket drejtësisë, kushdo që është kërkuar të japë informacion para drejtësisë, nuk ka pasur kurrë pengesë nga PS dhe Rama. Ky është realizim i premtimit për një drejtësi të pavarur”, tha ai.