Më 18 tetor pritet që Këshilli Evropian të diskutojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Pavarësisht se Parlamenti e Komisioni disa herë kanë dhënë dritën jeshile, kjo çështje ishte bllokuar nga Franca dhe Holanda.
Gazeta Express shkruan se duket se më në fund ka lëvizje pozitive nga këto dy shtete skeptike. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian u takua të mërkurën me emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në intervistën për T7, Viola von Cramon, nuk mohon e as nuk pohon se ka një kornizë të re për marrëveshjen ndërmjet dy shteteve.
“Ajo që unë mund të them është se Franca nuk është një vend që mund ta bllokojë atë çështje. Unë mendoj gjithashtu se Holanda ka lëvizur shumë. E di që edhe vendet e tjera do të jenë gati. Disa vende kanë zgjedhje e disa të tjera nuk kanë as qeveri momentalisht. Pra, a do të mjaftojë kjo për ta shtyrë këtë çështje? Nuk e di. Por, njerëzit me të cilët kam folur janë shumë optimistë”, tha ajo.