Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pret që në dy javët e ardhshme të arrihet marrëveshje për datën e zgjedhjeve. Megjithatë, për momentin ende nuk ka njoftim zyrtar se palët do të ulen në tryezë të përbashkët. Mickoski beson se do të mbizotërojë interesi i shtetit për zgjedhje të dyfishta.
“Me një shpenzim…mos t’i rëndojmë qytetarët me shpenzime të dyfishta, të organizojmë zgjedhje presidenciale dhe me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale edhe zgjedhje parlamentare”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kreu i opozitës ka komentuar edhe hyrjen në koalicion të bllokut opozitar shqiptar, BESA, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike.
“Çdo garë në skenën politike është e mirëseardhur. Vlerësoj se do të ofrojnë, së paku nga sa dëgjoj nga mesazhet e deritanishme, diçka që paraqet vizion të së ardhmes, e jo vizion të së kaluarës, që do të dalin nga kjo lojë që Ali Ahmeti dhe BDI-ja do të përpiqen të imponojnë, që është retorikë nacionaliste-shoviniste, që së bashku me qytetarët do të shikojnë përpara”, u shpreh Hristijan Mickoski– kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Derisa është ende e paqartë se kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme, grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë, në të cilin nuk morën pjesë as VMRO e as partitë opozitare shqiptare, ka finalizuar ndryshimet në Kodin zgjedhor. Së shpejti pritet që amendamentet t’u paraqiten deputetëve, andaj mbetet për t’u parë nëse do të kenë mbështetje nga opozita. Ndryshimet duhet të hyjnë në fuqi më pak se gjashtë muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve. Megjithatë, grupi i punës informon se KSHZ-ja do të ketë kohë të mjaftueshme për t’i zbatuar ndryshimet.
“Varet se si do të pajtohen partitë politike. Nuk mund ta dimë se për çfarë do të bien dakord, zgjedhje të përbashkëta apo speciale. Mendoj se jemi në momentin e duhur, tani topi është në fushën e Parlamentit”, tha Aleksandar Novakovski– kryetar i grupit punues.
“Sipas Kushtetutës, zgjedhjet e para janë zgjedhjet presidenciale dhe ka kohë të mjaftueshme që ato të miratohen para shpalljes së zgjedhjeve sepse nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim thelbësor, që të mos munde aktorët dhe pjesëmarrësit e procesit zgjedhor ta zbatojnë këtë”, nënvizoi Viktoria Madiq– zëvendësministre e Drejtësisë.
Grupi i punës sqaroi se nuk janë ngarkuar të diskutojnë për datën e zgjedhjeve, por vetëm për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, që kanë të bëjnë me mënyrën e financimit të partive, mbrojtjen e të drejtës së votës dhe përfaqësimin në media. /Alsat.mk