VMRO-DPMNE-ja edhe sot përmes një komunikate kërkon përgjegjësi për aksidentin tragjik në Bullgari, ku mbetën të vdekur 45 persona.
“Kaluan 15 ditë nga aksidenti tragjik me autobusin e Besa Trans, ndërkohë që nga pushteti nuk ka përgjigje, as përgjegjësi. Pushteti i Zaevit po e mjegullon opinionin me teatro në vend që të jap përgjegjësi për vdekjen e 45 personave. Pushteti i LSDM-së dhe BDI-së po heshtë rreth asaj se si është e mundshme që autobusi i Besa Trans pa licencë të ketë qarkulluar 140 herë në linja ndërkombëtare. Heshtin edhe rreth asaj se si është e mundshme që në ditën tragjike, autobusi në fjalë të mos jetë futur në sistemin e doganës”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së, duke nënvizuar se institucionet po luajnë “ping pong” me përgjegjësinë njëjtë sikurse me tragjedinë në spitalin modular të Tetovës.
“Papërgjegjësia dhe kriminaliteti i pushtetit të LSDM-së dhe BDI-së po na kushton me jetë. Dyfytyrësia e tyre shihet në fytyrat e tyre”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja./alsat