Institucionet që zgjedhin dhe emërojnë funksionarë nuk plotësojnë në kohë regjistrin për persona të zgjedhur dhe të emëruar, gjë e cila krijon probleme për Komisionin për parandalimin e korrupsionit për të mbajtur evidencë për funksionarët që nuk dorëzojnë fletën anketuese me pasurinë dhe pronat që kanë. Kryetarja e këtij institucioni Biljana Ivanovska në seancën për pyetjet e deputetëve u përgjigj para opozitës për skandalin e publikuar për “pronat e fshehta”.
“Dua këtu të theksoj dhe të dërgoj apel tek personat që udhëheqin institucionet të cilët nuk janë të përditësuar dhe nuk e plotësojnë regjistrin për personat e zgjedhur dhe të emëruar. Para së gjithash do ta ftoj Qeverinë ta bëjë këtë, i kemi thënë disa herë edhe kryeministrit, edhe sekretarit të përgjithshëm, edhe zv/kryeministres”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për parandalimin e korrupsionit.
Ivanovska thotë se nuk kanë as softuer me të cilin të mund të ndjekin gjendjen, pasurinë dhe pronën e funksionarëve.
“Nuk e di sa herë e kam thënë se jemi duke pritur softuerin përmes projektit të Komisionit Evropian dhe shpresoj se deri në fund të vitit do të funksionojë. Kur të funksionojë ai softuer dhe kur ne të lidhemi me institucionet atëherë do të mund ta ndjekim gjendjen e pronës ashtu siç e parashikon ligji”, u shpreh Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për parandalimin e korrupsionit.
Temën e pronave të funksionarëve e hapi VMRO-DPMNE-ja e cila prej ditësh publikon emra të gjithsej 123 funksionarëve dhe të afërmve me pushtetin që nuk kanë dorëzuar në Antikorrupsion evidencën e pronave. Opozita nuk kurseu akuzat ndaj kryeministrit për fshehje të lidhjes me kompaninë që ka formuar më herët.
“Ju i nderuar kryeministër me 2500 euro keni krijuar firmë e cila merr mjete shtetërore, para të qytetarëve me vlerë milionëshe për të cilën keni konflikt interesash sepse me të edhe tani udhëheq kumbari juaj i cili edhe sipas ligjit llogaritet person i afërt”, theksoi Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Kryeministri Kovaçevski thotë se është tërhequr plotësisht nga kompania dhe mohon akuzat e opozitës.
“Unë nëse tregoj se sa tatim kam paguar në këtë shtet, sa tatim fitimi kam paguar nga ajo që kam paguar 22 vjet, atëherë do të ulesh dhe do të turpërohesh nga kjo që thua”, deklaroi Kovaçevski.
Seanca e pyetjeve të deputetëve filloi me shpërndarjen e kopjeve të marrëveshjes Frontex të firmosur një ditë më parë nga kryeministri dhe kryetarja e Komisionit Evropian. Pushteti tha se opozita duhet t’i kërkojë falje opinionit që e ka mashtruar sepse ky dokument është dëshmi se BE-ja pranon gjuhën maqedonase si të pastër dhe pa fusnota. VMRO-DPMNE-ja thotë se Maqedonia që nga 1996 ka firmosur dokumentet me BE-në në gjuhën maqedonase./Alsat.mk/