Vlorë/ Punëtori 38-vjeçar humbi jetën pas rënies nga lartësia në aeroportin e ri, arrestohet administratori i kompanisë së ndërtimit

Ditën e djeshme, një ngjarje tragjike ka ndodhur në kantierin e ndërtimit të aeroportit në Vlorë, ku një punëtor humbi jetën pas rrëzimit nga lartësia.

Viktima, shtetasi D. H., 38-vjeç, ishte punonjës i një kompanie ndërtimi që po punon në projektin e aeroportit.

Pas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, është arrestuar në flagrancë shtetasi D. N., 45-vjeç, banues në Tiranë, i cili mban detyrën e administratorit të kompanisë së ndërtimit.

Gjithashtu, ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit U. S., 41-vjeç, po nga Tirana, me funksion përgjegjës i punimeve.

Sipas Policisë, këta dy persona dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për masat e sigurisë në punë, duke sjellë si pasojë vdekjen e punonjësit.

Sakaq, materialet hetimore janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.


Shtuar 20.04.2025 10:31