Ministria e Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar ditën e sotme se viti i ri shkollor 2021-2022 do të nisë dy javë para datës zyrtare. Ministrja shtoi se ky vendim është marrë pasi dihet se ka pasur mangësi në njohuri për shkak të mësimit online.
Ndër të tjera ministrja ka theksuar se mësimi në këto dy javë do të jetë plotësuese dhe bëhet fjalë për një plan fleksibël në varësi të nevojave specifike të çdo shkolle.
“Jemi të vetëdijshëm që ka pasur edhe mangësira në njohuri apo kompetenca të nxënësve. Për këtë arsye, në muajt e fundit kemi punuar intensivisht edhe me ekspertët e MASR dhe ASCAP për të hartuar një strategji se si t’i plotësojmë këto mangësi. Ne kemi vendosur që për vitin e ardhshëm 2021-2022, dy javë përpara datës zyrtare të fillimit të vitit shkollor, ne do të kemi mësimin plotësues në të gjitha shkollat tona. Ky do të jetë një plan fleksibël në varësi të nevojave specifike që ka çdo shkollë apo zyrë arsimore”, u shpreh Kushi.
Kjo deklaratë e ministres Kushi është bërë në konferencën Kurrikula e Bazuar në Kompetenca dhe Zhvillimi Profesional i Mësuesve në Arsimin Parauniversitar’ ku është diskutuar për proritetet dhe sfidat në politikat arsimore, si edhe janë analizuar arritjet e arsimit deri më tani.