Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me një video e cila tashmë është bërë virale në rrjetet sociale ku disa punonjës bashkie ushtrojnë dhunë ndaj shitësve ambulantë ndërsa disa të tjerëve u hedhin perimet e frutat në mes të rrugës.
Meta shkruan se dënon sjelljen e policëve bashkiakë të cilën e quan joprofesionale, shproporcionale, të dhunshme dhe të dënueshme ligjërisht.
POSTIMI I METËS:
Dënoj me forcë sjelljen joprofesionale, shproporcionale, të dhunshme dhe të dënueshme ligjërisht të disa punonjësve të Policisë Bashkiake Tiranë ndaj të moshuarve, shitës ambulantë.
I bëj thirrje Bashkisë Tiranë, që në mënyrën më të papërgjegjshme ka dhënë edhe në të kaluarën e afërt shembullin më të keq të marrëdhënies së pushtetit vendor me qytetarët, të bëjë kujdes maksimal në zbatimin me përpikmëri të ligjit dhe të ketë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në çdo kohë dhe duhen respektuar nga çdo institucion dhe autoritet.
Urdhëruesit dhe autorët e këtyre akteve arbitrare, që po kthehen në një fenomen të përsëritur dhe thellësisht shqetësues për banorët e kryeqytetit, meritojnë të marrin përgjigjen e menjëhershme nga drejtësia! /albeu.com/