VIDEO/ Policia identifikon të riun që lavdëronte në TikTok vrasësin e 14-vjeçarit Martin Cani

16-vjeçari i cili përmes një video në “Tiktok”, lavdëronte vrasësin e 14-vjeçarit, Martin Cani është identifikuar nga Policia e Shtetit.

Përmes një njoftimi zyrtar blutë bëjnë me dije se pas publikimit të kësaj video specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Tiranë bënë të mundur identifikimin e këtij shtetasi i cili rezulton se jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Materialet i janë referuar Prokurorinë panë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për fillimin e procedimit penal për 16-vjeçarin.

Ai akuzohet për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal.

Ndërkohë më herët përmes një video të postuar në rrjetin social “JOQ”, ai shfaqet duke u kërkuar falje shqiptarëve dhe prindërve të 14-vjeçarit, Martin Cani.

“Kam bërë shumë gabim i kërkoj falje familjes, i kërkoj shumë familje, të gjithëve shokëve dhe shoqeve. I kërkoj falje dhe gjithë shqiptarëve më falni, më falni, më falni”, dëgjohet të thotë ai.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një video të publikuar në një portal, ditën e djeshme, ju informojmë se:

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, kanë identifikuar shtetasin 16 vjeç që shfaqet në video, i cili banon në SHBA.

Në vijim të veprimeve për rastin, janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për fillimin e procedimit penal, për 16-vjeçarin.

Ky shtetas, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka bërë thirrje për nxitje të urrejtjes ose grindjeve, për mbajtje të armëve të ftohta nga fëmijët dhe për përdorimin e tyre në konflikte.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal.


Shtuar 20.11.2024 18:06