Vendet baltike dëbojnë ambasadorët rusë: Mbështesim Ukrainën!

Estonia dhe Letonia u thanë ambasadorëve rusë të largoheshin nga vendet e tyre pasi Moska tha se po ul nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Estoninë, duke e akuzuar atë për “rusofobi totale”.

Të dyja vendet janë anëtare të NATO-s dhe BE-së. Estonia, Letonia dhe fqinji i tyre baltik, Lituania, janë mes një grupi aleatësh të NATO-s që argumentojnë fuqishëm që Gjermania të dërgojë tanke “Leopard” për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.

Ministria e Jashtme ruse tha se i kishte thënë të dërguarit të Estonisë se ai duhet të largohej muajin e ardhshëm dhe se dy vendet do të përfaqësoheshin në kryeqytetet e njëri-tjetrit nga një i ngarkuar me punë i përkohshëm në vend të një ambasadori.

Estonia u përgjigj në të njëjtën mënyrë, duke i thënë të dërguarit rus të largohej deri më 7 shkurt, tha Ministri i Punëve të Jashtme Urmas Reinsalu.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën ndërsa Rusia planifikon sulme në shkallë të gjerë dhe u bëjmë thirrje vendeve të tjera që kanë të njëjtin qëndrim që të rrisin ndihmën e tyre për Ukrainën,” tha zoti Reinsalu në një deklaratë.

Letonia, në solidaritet me Estoninë, i kërkoi të dërguarit të saj në Moskë të largohej deri më 27 shkurt, sipas një postimi në Twitter nga Ministri i Jashtëm Edgars Rinkevics.

Të dy vendet thanë se po ulin marrëdhëniet e tyre diplomatike me Rusinë në nivelin e të ngarkuarit me punë.

Lituania dëboi të dërguarin rus në prill dhe uli përfaqësimin diplomatik, pasi Ukraina akuzoi forcat ruse për vrasjen e civilëve në qytetin Bucha.

Moska tha se masa e së hënës ishte në përgjigje të një vendimi të Estonisë për të reduktuar ambasadën ruse në Talin.

“Vitet e fundit, udhëheqja estoneze ka shkatërruar qëllimisht të gjithë gamën e marrëdhënieve me Rusinë. Rusofobia totale, kultivimi i armiqësisë ndaj vendit tonë janë ngritur nga Talini në rangun e politikës shtetërore,” tha ai.

Duke komentuar uljen e marrëdhënieve, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha: “Regjimi estonez ka marrë atë që meritonte.”

Estonia i tha Rusisë më 11 janar që të ulë numrin e diplomatëve në ambasadën e saj në Talin në tetë, ekuivalent me numrin e diplomatëve estonezë në Moskë.

Të tre vendet baltike iu bashkuan disa aleatëve të tjerë perëndimorë javën e kaluar duke rënë dakord të dërgojnë më shumë armëve në Ukrainë. /VOA


Shtuar 23.01.2023 17:03