Vëllezërit Doçi iu përgjigjën me plumba breshërisë së kallashnikovit, çfarë thanë në dëshminë e tyre

Dy shtetasit e plagosur mbrëmjen e kaluar në fshatin Bardhaj ndodhet aktualisht në spital ndërsa është shpallur në kërkim nga policia edhe autori i dyshuar i kësaj plagosjeje të dyfishtë.

Kështu, efektivët kanë vënë në pranga dy vëllezërit Marjan Doçi, 23 vjeç, dhe Hoten Doçi, 30 vjeç. Arrestimi i tyre është bërë në kushtet spitalore, teksa ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranës, jashtë rrezikut për jetën, nën mbikëqyrje nga forcat e policisë.

Nga ana tjetër, mbrëmë policia ka identifikuar autorin e dyshuar, shtetasin Besmir Perkola, i cili ka lënë të plagosur dy vëllezërit Doçi. Nga sa mësohet janë ende të paqarta arsyet e kësaj plagosjeje të ndodhur në Bardhaj të Shkodrës. Dy shtetasit e plagosur në deklarimin për policinë kanë thënë se “nuk kemi asnjë konflikt dhe nuk e kemi idenë përse na ka qëlluar personi tjetër dhe madje nuk e njohim se kush ka qenë.

Ishim tek makina kur një person u afrua dhe qëlloi drejt nesh në mënyrë të papritur. Nuk e kemi idenë përse na ka qëlluar, sepse nuk kemi ndonjë konflikt”, mësohet të kenë thënë dy vëllezërit për policinë, duke mos pranuar që të japin asnjë detaj shtesë lidhur me arsyen përse janë qëlluar.

Sipas burimeve nga vendngjarja, ka dyshime të forta se pasi shtetasi Besfort Perkola ka qëlluar ndaj tyre me automatik kallashnikov, dy vëllezërit i janë përgjigjur të shtënave, duke qëlluar edhe ata me pistoletë në një shkëmbim zjarri. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur gëzhoja plumbash nga armë të ndryshme të kallashnikovit që dyshohet se ka pasur Perkola dhe gëzhoja pistolete afër mjetit tip Audi pa targa, ku ndodheshin dy vëllezërit Doçi, që mbetën të plagosur shkruan bw.

Policia e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe vijon puna për gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar Besmir Perkola. Që mbrëmë, por edhe gjatë ditës së sotme, një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka qëndruar në vendin ku ndodhi plagosja për të shmangur çdo lloj konflikti tjetër, pasi të dy familjet jetojnë afër njëra-tjetrës.


Shtuar 21.03.2021 13:33