Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë në rrjetet sociale një spot për Tiranën që fokusohet në dashurinë mes një vajze balerine dhe e një djali inxhinier, të cilët kanë vendosur që jetën e tyre ta ndërtojnë bashkë në kryeqytet.
Teksti i plotë i videos:
“Jetojmë bashkë. Tirana është shtëpia jonë, rrugët, ndërtesat, shkollat e sheshet, qëndrojnë si një mozaik ku copëzat e shtruara që rrinë krah për krah janë njësoj pranë, si fatet e banorëve të saj. Tirana është një derë e hapur. Të mirëpret pa pyetur kush je dhe nga vjen. Tirana nuk lë askënd në baltë. I jep çdokujt një shans. E pandalshme në rrugën e saj të progresit dhe të zhvillimit, Tirana rritet çdo ditë, e sigurtë, drejt një epoke të re. Nuk harrojmë nga kemi ardhur, por shohim me kurajo përpara, drejt së ardhmes. Ne jemi qytetarët e Tiranës, të vegjël e të mëdhenj, të rinj e të moshuar, guximtarë, krijues dhe realizues të ëndrrave tona, punëtorë të palodhur, të përkushtuar, të talentuar, inovatorë që i japin formë çdo ditë të nesërmen. Përkujdesemi e i dhurojmë jetë qytetit tonë. Me çdo pemë që mbjellim, mbjellim farën e shpresës, në zemër të tokës tonë, edhe ai është premtimi i një të ardhmeje më të begatë. Në buzëqeshjen e një bebeje qëndron një premtim i ëmbël për të ardhmen, ku shpresat e sotme do të jenë realiteti i së nesërmes. Ne do punojmë, do lodhemi, do qeshim, do festojmë, ndonjëherë do qajmë, por në çdo rast do jemi gjithmonë bashkë. Duke ndjekur ëndrrat, duke bashkuar mendjet dhe zemrat tona, do bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Ecim vetëm përpara”.