Vdekja e 3 pjestarëve të familjes Haliti, komuna kosovare apel të rëndësishëm autoriteteve shqiptare

Një ngjarje e rëndë ndodhi dy ditë më parë në Lalëz, ku 3 pjestarët e familjes Haliti humbën jetën pasi u helmuan me kërpudha.

Ditën e djeshme, djali i çiftit hodhi dyshime në lidhje me vdekjen e prindërve të tij dhe gjyshes së tij, teksa shtoi se bashkë me ta kishte ngordhur edhe qeni i tyre. Sipas dëshmisë së tij, qeni asnjëherë nuk konsumonte ushqimin që hante familja, duke përjashtuar kështu faktin që kafsha të ketë ngordhur nga ngrënia e kërpudhave helmuese.

“Ne kemi pasur edhe një qen atje edhe qeni ka ngordhur, ai nuk e konsumon asnjëherë ushqimin që ne hamë. Kjo shkon përtej dyshimit, sepse qeni nuk konsumon kërpudha. Babi ka dalë shpesh për të na mbledhur kërpudha, nuk është se nuk i ka njohur kërpudhat”, u shpreh ai.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili shprehet se shteti shqiptar e ka për detyrë të dalë sa më parë me rezultatin përfundimtar të hetimit për zbardhjen e të vërtetës.

Reagimi i plotë

Gjilani, Kosova e Shqipëria u tronditën nga tragjedia që ndodhi në Durrës, përkatësisht në Gjirin e Lalëzit, ku tre bashkëqytetarët tanë, Elfete, Afrim e Ferdinaze Haliti, ndërruan jetë papritur. Sot ia dhamë lamtumirën e fundit në Gjilan dhe na mbeti peng e vërteta e shuarjes së tyre.

Shteti shqiptar e ka për obligim që sa më parë të dal me rezultatin përfundimtar të hetimit për zbardhjen e të vërtetës. Për shpirtrat e Elfetes, Afrimit e Ferdinazes, për familjen Haliti, për Gjilanin, për Kosovën, për Shqipërinë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Haliti për këtë humbje të madhe. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!


Shtuar 10.05.2021 09:09