Vaksinimet kundër Covid-19 për janar-gusht 68% më pak se vjet

Me zbutjen e pandemisë në vend është ulur ndjeshëm edhe numri i personave të vaksinuar kundër Covid-19.

Mjekët pohojnë se rreziku i infektimeve është ulur ndjeshëm, ndërsa pacientët duhet të fokusohen më tepër te kontrollet mjekësore post Covid-19.

Sipas të dhënave të raportit të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë për janar -gusht 2022 janë vaksinuar në vend 462,393 persona dhe janë shpenzuar 584,843,000 lekë për vaksinat. Në raport me vjet vaksinimet janë ulur 68%.

Për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar për vaksinimin e popullatës u shpenzuan rreth 27 mln USD, sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë. Për periudhën janar-gusht 2021 u vaksinuan 1,443,375 persona dhe shpenzimet faktike për këtë periudhë llogariten në vlerën e lekëve 2,793,811,000 lekëve. Gjatë periudhës janar-gusht 2021 u vaksinuan me 2 doza 625,773 persona dhe me një dozë 817,602 persona.

Sakaq sipas Ministrisë së Shëndetësisë në total deri tani janë kryer 2,996,596 vaksina. Konkretisht janë kryer 1,323,724 doza të para, 1,269,566 doza të dyta dhe 372,387 doza të treta (numri i vaksinimeve të raportuara, përfshin edhe vaksinimet e qytetarëve shqiptarë të kryera jashtë vendit).

Mjekja e familjes në qendrën shëndetësore të Kamzës Elizabeta Musta tha për Monitor se parë nga efektet dytësore që po shfaqen te disa pacientë virusi ende qarkullon, por në forma të lehta. Musta thekson se më tepër pacientët po orientohen te kontrollet për efektet pas infektimeve.

“Virusi qarkullon, por nga simptomat e pacientëve shfaqja e tij është në forma të lehta. P.sh para pak ditësh patëm një rast të një pacienti që bllokimi i hundëve dhe kollës i kishte dhënë perikardit në zemër apo siç njihet ndryshe cipa e zemrës i kishte mbledhur ujë. Nga kontrolli i kardiologut u konstatua që pacienti kishte kaluar tani vonë covid-19.

Vaksina kundër Covid-19 është rekomanduar të bëhet bashkë me vaksinën kundër gripit. Të pakët janë ata që kërkojnë të vaksinohen, apo nga persona që udhëtojnë jashtë”, pohon ajo.

Edhe mjeku Ilir Allkja më herët pohoi për “Monitor” se post pandemisë komplikacionet në zemër nuk mungojnë as tek ata njerëz që e kanë kaluar Covid-19 me shenja të lehta ose pa shenja.

“Efektet afatgjata mund të përfshijnë një mori simptomash pulmonare, kardiovaskulare, të sistemit nervor, të shëndetit mendor etj. Hulumtimet sugjerojnë se rreth 10% deri në 20% të pacientëve të prekur nga Covid-19 përjetojnë probleme afatmesme ose afatgjata. Në rutinën time, kam vizituar plot pacientë me shqetësime zemre, të cilët para se të kalonin infeksionin e Covid-19 nuk kanë pasur kurrfarë shqetësimi”./monitor


Shtuar 15.11.2022 18:50