Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook-un e tij një video ku shihet kreu i Emergjencave Civile Haki Çako, i cili po vrojton e monitoron me helikopter flakët e zjarrit në ishullin Sazan.
Mirëpo ka diçka që nuk shkon. Ndërsa Çako “shëtit” me helikopter, ushtarët po luftojnë me flakët e mëdha me mjete rrethanore, përfshirë dhe lopata. Në fakt, helikopteri duhej të ishte përdorur për shuarjen e zjarrit.
https://www.facebook.com/ediramaal/videos/386816400074094
Postimi i Ramës:
Sazan – Rikonjicion nga ajri i vatrave të zjarrit
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi:
“Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile meritojnë mirënjohje.
I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit është izolimi i vatrave nga toka, duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth çdo vatre…
Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera.”
Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikoptera me kova uji biblik e me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë! Janë të njëjtët shqipo, që në tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, llafe, llafe, llafe…
Ka pasur dhe një reagim nga Ministria e Mbrojtjes në lidhje me pyetjen se pse nuk po ndërhyhet nga ajri? A ka mungesë helikpterësh?
Reagimi:
Transparencë mbi gatishmërinë e mjeteve ajrore
Forcat e Armatosura disponojnë dhe kanë në gatishmëri mjetet e nevojshme fluturuese, të parashikuara për përdorim në përmbushje të detyrave e operacioneve që duhet të kryejnë edhe në raste emergjencash si zjarret.
FA ka në gatishmëri helikopterë të lehtë, por që në specifikat e përdorimit të tyre kanë kufizime për të marrë pjesë dhe për të përmbushur detyra në raste të llojeve të ndryshme të operacioneve të emergjencave. Forca Ajrore ka helikopterë të kompletuar dhe të pajisur me mjete për operacione për mbështetje të emergjencave mjekësore si dhe edhe helikopterë ushtarakë të mesëm modernë të gjeneratës së katërt.
Si rregull ata i nënshtrohen kërkesave rigoroze të mirëmbajtjes dhe riparimit, bazuar mbi periudha përdorimi dhe kohë fluturimi. Në këtë proces, një pjesë e helikopterëve ushtarakë Cougar, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacione të shumta të emergjencave në kohë përmbytjesh, zjarresh, tërmeti, kushteve ekstreme të motit, në ndihmë të komunitetit, pjesëmarrjes në stërvitjet e ndryshme në Forcat e Armatosura, si dhe atyre me NATO-n të zhvilluara në vendin tonë, kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes dhe vënies në gatishmëri, në nivelin e tretë të mirëmbajtjes, proces që bëhet vetëm nga uzina jashtë vendit, të specifikuara për këtë nivel modern pajisjesh.
Ndërsa një pjesë e helikopterëve Cugar të riparuar përmes praktikës së re të bashkëpunimit me Agjencinë e Prokurimit të NATO (NSPA) ndodhen në Shqipëri.
Ndërkohë për çdo situatë dhe nevojë reale kur vihet në rrezik jeta e njerëzve apo banesat Shqipëria bashkëpunon me Mekanizmin e Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile, Emergency Response Coordination Centre (ERCC) dhe në bashkëpunim me partnerët e saj është në gjendje të garantojë sigurinë.
Edhe vendet fqinje përdorin këtë mekanizëm për të përballuar nevojat e tyre ne raste emergjencash. Siç e kemi thënë edhe më parë kapacitetet tona të brendshme janë të limituara. Ndërkohë edhe vende si Turqia, Greqia apo Italia mbështeten te mekanizmi evropian, sepse emergjencat specifike natyrore nuk përballohen dot vetëm me kapacitete të brendshme.
Në vëmendje të medias kujtojmë se tabela e organizimit dhe pajisje të FA, numrave dhe dokumenteve që lidhen me të konsiderohet informacion i klasifikuar konfidencial.