Florida po përballet me uraganin Ian, i cili ka lënë rreth 2.5 milionë njerëz pa energji elektrike. Zyrtarët kanë paralajmëruar se ndërprerjet e energjisë elektrike mund të ndodhin për shkak të linjave të rrymës të rrëzuara, pasi stuhia dhe erërat e forta vazhdojnë në jugperëndim të shtetit. Ata kanë paralajmëruar se ndërprerjet do të vazhdojnë derisa të fillojnë operacionet e rikuperimit, pasi të kalojë uragani Ian.
Zyrtari më i lartë i Bidenit për fatkeqësitë do të mbërrijë në Florida të premten. Ndërsa zyrtarët në Volusia County, në verilindje të Orlandos, Florida, kanë konfirmuar se një burrë ka vdekur si pasojë e uraganit Ian. Në një konferencë për shtyp, ata thanë se një burrë 74-vjeçar doli gjatë stuhisë në përpjekje për të mbuluar me tendë pishinën e tij dhe vdiq. Vdekja e tij është e para që konfirmohet zyrtarisht. Presidenti amerikan Joe Biden ka mbajtur fjalime në selinë e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (Fema), e cila ka për detyrë të ndihmojë shtetet dhe individët në kohë krize. Ai tha: “Ky mund të jetë uragani më vdekjeprurës në historinë e Floridës”.
Gjithashtu Presidenti Joe Biden e përfundoi fjalimin e tij duke iu drejtuar popullit të Porto Rikos, duke thënë se qeveria federale nuk i ka harruar ata. “Për popullin e Porto Rikos, ne nuk jemi larguar. Unë jam i përkushtuar ndaj jush dhe rimëkëmbjes së ishullit, ne do të qëndrojmë pranë jush pa marrë parasysh sa kohë duhet për ta realizuar atë”, tha Biden. Porto Riko u godit nga uragani Fiona javën e kaluar, pasi ende përpiqet të rindërtohet nga ndikimi i uraganit vdekjeprurës Maria në 2017.