Taksapaguesit shqiptarë do të përballojnë një kosto shtesë prej 930 mijë eurosh, si pasojë e keqmenaxhimit të fondeve publike dhe mungesës së mbikëqyrjes cilësore gjatë punimeve.
Segmenti i njohur si Unaza e Poshtme e Burrelit, me një gjatësi prej vetëm 960 metrash, u ndërtua fillimisht me një investim rreth 1.3 milionë euro.
Të lidhura
None found
Megjithatë, pas më pak se një muaji nga përfundimi i asfaltimit, arteria pësoi katër shembje të rënda, duke e bërë atë tërësisht të pakalueshme.
Menjëherë pas dëmtimeve, Autoriteti Rrugor Shqiptar premtoi një analizë të thelluar teknike për të zbuluar shkaqet dhe për të gjetur zgjidhjen optimale. Por teksa përgjegjësitë për projektin e parë mbeten të mjegullta, llogaria që do të paguajë shteti po fryhet më tej.
Riparimi i kësaj vepre tashmë ka hyrë në fazën e tenderimit me një fond limit prej 90.3 milionë lekësh, afërsisht 930 mijë euro. Kompania fituese është shpallur “2N” sh.p.k., e administruar nga Ndriçim Stojku, e cila ka paraqitur një ofertë prej 87 milionë lekësh.
Ekspertizat parashikojnë që ndërhyrja do të konsistojë në ndërtimin e pilotave përgjatë rreth 300 metrash, për të stabilizuar gjurmën e rrugës që është dëmtuar rëndë nga rrëshqitjet e dheut. Në këtë mënyrë, fatura totale për një rrugë që shtrihet në më pak se një kilometër, kap shifrën e mbi 2.2 milionë eurove.
E gjithë situata mbart një ironi të hidhur: Unaza e Poshtme e Burrelit u projektua pikërisht për t’i shmangur qendrës së qytetit trafikun e mjeteve të tonazhit të rëndë. Megjithatë, kjo rrugë, e cila përpiu disa milionë euro nga buxheti, nuk e përmbushi dot qëllimin e saj që në ditën e parë.
Teksa qytetarët detyrohen të vënë dorën sërish në xhep për 930 mijë euro të tjera, shtrohet pyetja thelbësore: Kush do të mbajë përgjegjësi për dështimin e një investimi 1.3 milionë eurosh, i cili u bë i papërdorshëm brenda pak javësh nga inaugurimi?
