UEFA kërcënon qytetet, Euro 2021 me tifozë ose përjashtim nga organizimi

Vendet që nuk do të jenë në gjendje të garantojnë prezencën e tifozëve në shkallët e impianteve mund të përjashtohen nga organizimi i Euro 2021.

Është ky kërcënimi që vjen drejtpërdrejt nga numri një i qeverisë së futbollit Aleksandër Ceferin, i cili ishte i qartë në deklaratën e tij për mediat angleze.

“Po punojmë në skenarë të ndryshëm, por gjëja e vetme që mund të themi me siguri është fakti që opsioni i zhvillimit të ndeshjeve të Kampionatit Evropian me stadiume të boshatisura, është përjashtuar si mundësi. Çdo qytet duhet të garantojë që ndeshjet do të zhvillohen me prani të mbështetësve”, është ky mesazhi i Ceferin që do ta bëjë zyrtar këtë vendim në datën 20 prill.

Të gjithë vendet janë të varura nga vendimet e qeverive përkatëse për masat kufizuese të pandemisë. Një prej tyre, Anglia, duke marrë parasysh fundin e izolimit në datën 21 qershor, ka shprehur gatishmërinë për të organizuar më shumë se ndeshjet e programuara në ishull sipas UEFA-s.

Kryeministri Boris Johnson madje ofroi mundësinë që i gjithë Kampionati Evropian të zhvillohej në Angli me një finale hipotetike në Wembley, në kapacitet të plotë tifozësh në stadium por ky skenar u hodh poshtë nga UEFA, që kërkon ta shpërndajë turneun sikurse është plani, në sa më shumë qytete të Evropës./A2


Shtuar 17.03.2021 18:58