Ditën e sotme, kreu në largim i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka deklaruar se presionet nga politika nuk kanë ndikuar në hetimet e strukturës.
Një ditë pas zgjedhjes së Klodian Brahos si drejtuesi i ri i SPAK, Dumani bëri me dije se tre vitet e drejtimit të kësaj strukture kanë qenë tepër intensive dhe të vrullshme.
Në një fjalim të mbajtur në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ai u shpreh se ka ushtruar detyrën gjithmonë i pavarur dhe pa ndikime.
“Unë jam një prokuror si gjithë prokurorët e tjerë, të cilit iu dha mundësia në vitin 2022 të drejtoj këtë institucion. Ka qenë vërtet nder për mua ta drejtoj këtë institucion në këto 3 vite shumë intensive dhe të vrullshme. Unë kështu e kam ndërtuar karrierën time, që nga dita e parë që kam futur këmbët në sistemin e drejtësisë. Kam ushtruar detyrën gjithmonë i pavarur, kam refuzuar çdo ndërhyrje, nuk i kam dhënë mundësinë askujt të ndërhyjë në punën time. Kam respektuar bindjen time të brendshme dhe jam përpjekur t’i qëndroj besnik ligjit dhe provave”, tha Dumani.
Ai u ndal edhe tek korrupsioni, si një plagë që prek të gjitha institucionet. Altin Dumani, u shpreh se gjatë hetimeve janë detyruar që të venë para përgjegjësisë edhe kolegë të tyre në sistemin e drejtësisë.
“Korrupsioni është një plagë që prek të gjitha institucionet. Na është dashur t’i vëmë përpara përgjegjësisë edhe kolegët tanë. Në këto vite, numri i policëve të hetuar për korrupsion apo vepra të tjera penale është mbi 70. Fatkeqësisht, në hetimet tona kemi konstatuar funksionarë të lartë policie si pjesë të organizatave kriminale apo grupeve të strukturuara kriminale. Nuk janë vetëm nga policia, por edhe nga gjyqësori. Një gjyqtari i është atribuuar edhe vepra penale si pjesëmarrje në organizatë kriminale. Policia e Shtetit na ka rezultuar e implikuar në vepra penale, në mënyrë absolute”, deklaroi Altin Dumani.

