Brilant Martinaj, djali i xhaxhait të biznesmenit Ervis Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, janë ekzekutuar me një arme të vetme.
Ky është detaji me i ri nga hetimet për vrasjen e 3-fishtë që ndodhi mesditën e 17 korrikut në mbikalimin e Fushë Krujës.
91 gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes jane ekzaminuar në laboratorin e policisë shkencore.
Nga ekzaminimi mikroskopik i gjurmës së kapsollave të gëzhojës, rezulton se ato kanë të njëjtën gjurmë goditëse nga gjilpëra e armës.
Detaji ka befasuar grupin e hetimit, pasi sipas tyre taktikisht është e pamundur që një person i vetëm të ketë qëlluar plot 91 herë me një armë, brenda një kohe shumë të shkurtër.
Sipas burimeve, ka shumë gjasa që autori, i cili ka hapur zjarr, ka qenë një komando i stërvitur, dhe me shumë mundësi të ketë ndërruar karikatorin disa herë.
Hetimet janë përqëndruar në përplasjen mes familjeve Martinaj dhe Reçi në Laç.
Nga gushti i vitit 2019 e deri tani, ato janë përfshirë në një konflikt të shoqëruar me atentate të ndërsjellta.
Në ekzekutimin e 17 korrikut dyshohet të kenë marrë pjesë më shumë se 4 persona.
Në makinën e djegur tip “Passat” që autorët përdorën për vrasjen, policia sekuestroi tre armë, dy automatikë kallashnikov dhe një MP5.
Deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi, policia ka grumbulluar dëshmi dhe prova të tjera që vërtetojnë se makina tip “Passat” e autorëve ka qëndruar në vendin buzë rrugës nacionale Kamëz-Fushë Krujë dhe sapo ka parë mjetin ku lëvizte Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij, ka xhiruar gomat me shpejtësi duke e ndjekur pas.
Në vendin e mbikalimit, autorët parakaluan mjetin ku ndodheshin tre të rinjtë, të cilet u qëlluan për vdekje nga një armë e vetme./OraNews