U shkarkuan nga kryesia, Basha “zhvesh” nga detyrat drejtuesit politikë, PD debat jo vetëm për selinë

Komisioni i përkohshëm i drejtimit të PD bashkë me paralajmërimin që i dha Lulzim Bashës për të liruar zyrën në 5 janar, ka përcaktuar edhe axhendën politike përmes së cilës do të kërkojë të marrë në kontroll selinë blu. Dualiteti mes Bashës dhe Berishës për të pasur kontrollin e Partisë Demokratike në janar krahas selisë qendrore në Tiranë pritet të zbresë edhe në degët e PD. Sali Berisha paralajmëroi pak ditë më parë se në Janar, komisioni i drejtimit të PD do të nis procesin e zgjedhjes së kryetarëve të ri të PD në të gjithë vendin.

Por axhenda e Berishës duket se është e njëjtë me atë që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike përcaktuan në 18 dhjetor në Kuvendin Kombëtar në Pallatin e Kongreseve. Në planin organizativ të PD parashikohet që vendimmarrjet e rëndësishme politike të nisin javën e ardhshme ku Lulzim Bashës do t’i duhet të përcaktojë edhe drejtuesit politik në të gjithë qarqet.

Burime për ABC  nga selia blu konfirmojnë se të gjithë përfaqësuesit që tashmë kanë dalë në krah të lëvizjes së ish-kryeministrit Berisha nuk do të jenë më në krye të qarqeve. Kështu Edi Paloka nuk do të drejtojë më qarkun e Durrësit, Edmond Spaho Korçën, Tritan Shehu Gjirokastrën, Bujar Leskaj Vlorën, Aldo Bumçi degët 1,12 dhe 14 në Tiranë, Agron Shehaj degën 5 dhe 7 në kryeqytet, Albana Vokshi degën 9 dhe 11, Belind Këlliçi degët 6, 13, 15 dhe 16 si dhe Flamur Noka s’do të jetë më si drejtues politik në degët e PD në Kamëz, Paskuqan dhe Vorë.

Disa prej degëve tashmë i janë besuar 4 nënkryetarëve të Partisë, Alfred Rushaj, Grida Duma, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj. Por demokratët do të ndryshojnë edhe kryetarët e degëve 12 prej të cilëve u komanduan pak ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Komisioni. Me axhenda të njëjta por qëllime të ndryshme, duket se pas janarit dualiteti për selinë qendrore të PD do të zbres edhe në degët e PD në rrethe.

DREJTUESIT POLITIK TË PD QË LARGOHEN

IKËN                                                                  DEGA

Edi Paloka                                                           Durrës

Edmond Spaho                                                   Korçë

Tritan Shehu                                                      Gjirokastër

Bujar Leskaj                                                       Vlorë

Aldo Bumçi                                                         Tirana 1,12 dhe 14

Agron Shehaj                                                     Tirana 5 dhe 7

Albana Vokshi                                                   Tirana  9 dhe 11

Belind Këlliçi                                                      Tirana 6, 13, 15 dhe 16

Flamur Noka                                                      Kamëz, Paskuqan dhe Vorë/abcnews.al/