U shkarkua, ish-gjyqtari Luan Daci hedh poshtë vendimin: Pse është i kundraligjshëm

Ish-gjyqtari Luan Daci ka dalë në një deklaratë për media ku ka renditur të gjitha arsyet që sipas tij tregojnë se vendimi i Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për ta dënuar atë me gjashtë muaj burg është i kundërligjshëm.

Daci tha se me këtë vendim GJKKO ka kryer një tërësi shkeljesh, si “Shkelje të Ligjit Themelor të Shtetit, Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, plus Kushtetutës-Aneks”.

Deklarata e gjyqtarit Daci:

Pra, ligjvënësi e ka përcaktuar fare qartë që shkeljet e anëtarëve të KPA-së rregullohen nga Ligji i tyre i posaçëm nr. 84/2016, në ndryshim nga magjistratët e tjerë të Republikës së Shqipërisë dhe në ndryshim madje edhe nga anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët rregullohen nga Neni 128 i Kushtetutës dhe nga Ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Ligji për KPA-në është ligj unik, i posaçëm, i kornizuar qartë dhe nuk lë vend për trajtime ekstraligjore.

Kalimi i qëllimshëm keqdashës i Komisionit Disiplinor te Neni 128/2/b i Kushtetutës në rastin tim e bën vendimin arbitrar, të pabazuar në ligjin e posaçëm 84/2016.

Mosrespektimi i Ligjit nr. 84/2016, që parashikon dy institucionet juridike:

1. Mbajtjen e përgjegjësisë disiplinore për të 17 rastet e parashikuara në këtë ligj

2. Fillimin e procedimit disiplinor vetëm në kushtet e kryerjes së një shkeljeje disiplinore të përcaktuar në po këtë ligj (84/2016), sipas Nenit 16 të tij, me urdhërim të ligjvënësit, për raste të parashikuara nga ky ligj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, si pjesë e organeve të rivlerësimit, rregullohet nga Ligji i Posaçëm i Vettingut (84/2016) dhe jo nga Ligji i përgjithshëm “Për Magjistratët”, as nga Neni 128 i Kushtetutës, i cili është për anëtarët e dhomës tjetër të Gjykatës Kushtetuese. Pikërisht për të ndarë kompetencat, statusin dhe detyrimet e ndëshkimet ndaj anëtarëve të KPA-së, u bënë ndryshimet e vitit 2016 (Aneksi i Kushtetutës dhe Ligji nr. 84/2016, të votuara si asnjëherë unanimisht me 140/140). Kjo me qëllim për të shmangur presionet mbi anëtarët e institucioneve të rivlerësimit kalimtar, në mënyrë që ne të jepnim gjykime objektive dhe të kishim mbrojtje ligjore të posaçme.

Është fakt që unë nuk kam shkelur asnjë nga dispozitat e Ligjit të Posaçëm nr. 84/2016 dhe as të Kushtetutës-Aneks, të modifikuar enkas në vitin 2016.

Kjo dispozitë shumë e qartë e bën këtë proces haptazi të kundërligjshëm, në shkelje të Nenit 16/17 dhe Nenit 17 të Ligjit 84/2016, në ndërthurje me Nenin 4/1 dhe Nenin 6 të Kushtetutës dhe po kështu bëjnë të kundërligjshëm shkarkimin tim nga detyra e anëtarit të KPA-së, me vendimin e sipërcituar, vendim arbitrar, i cili ka krijuar normë jashtë kompetencave të gjykatës (ultra vires), duke përthithur kompetencat e pushtetit tjetër, atij ligjvënës, veprim ky antikushtetutes.

Pasoja juridike të këtij vendimi të Komisionit Disiplinor të KPA-së për shkarkimin tim, haptas të kundërligjshëm, janë rrjedhojë e një procesi disiplinor të paligjshëm, në shkelje të Nenit 17/1 të Ligjit të Posaçëm nr. 84/2016, si dhe në mosrespektim të Nenit 100/b të Ligjit nr. 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

E informoj opinionin mediatik dhe nëpërmjet tij, të gjithë opinion shqiptar se Komisioni Disiplinor që vendosi shkarkimin tim, ka kryer me ndërgjegje të plotë juridike (bindje pa ligj, pa fakt, pa shkak indisiplinor) një tërësi shkeljesh:

1. Shkelje të Ligjit Themelor të Shtetit, Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, plus Kushtetutës-Aneks.

2. Shkelje të Ligjit të posaçëm nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

3. Shkelje të Ligjit nr. 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i cili nuk u përket anëtarëve të KPA-së.

Shkelja e dispozitave ligjore të sipërcituara është antikushtetuese, në kundërshtim të hapur me parimin e ligjshmërisë dhe e bën këtë vendim absolutisht të kundërligjshëm, të paligjshëm, të pazbatueshëm, me efekt nul.

Dëshiroj t’i kujtoj opinionit dhe medias se veprimtaria e gjyqësorit është vetëm zbatimi i ligjit dhe jo krijimi i normës ligjore nga gjyqësori. Shqipëria është Republikë Parlamentare, që do të thotë se ligjet i harton vetëm Kuvendi i Shqipërisë dhe gjyqësori vetëm i zbaton ato. Vendimet në tejkalim të këtyre kompetencave janë vendime haptas të kundërligjshme, të paligjshme, pra pa bazë ligjore dhe pa fakt juridik, që sjellin pasojë juridike të pazbatueshme. Trinomi “Fakt – Bazë ligjore – Pasojë ligjore” përcakton proceset e rregullta ligjore. Deformimi i njërit prej këtyre tre elementeve gjatë procesit të vendimmarrjes e bën vendimin të paligjshëm, të paekzekutueshëm, madje të verifikueshëm dhe të korrigjueshëm nga organi përkatës, që në rastin konkret është Kuvendi i Republikës.

Pra, shkeljet e kryera si në procedimin disiplinor, edhe në vendimmarrjen e Komisionit Disiplinor të KPA-së ndaj meje, janë evidente, kanë barrierë kushtetuese për moszbatim të një vendimi, për të cilat KEDNJ, në Nenin 13, autorizon organin më të lartë kombëtar të japë zgjidhje efikase të të gjitha shkeljeve të Komisionit Disiplinor të KPA-së, pavarësisht se këto shkelje i kanë bërë në përmbushje formale të funksionit të tyre zyrtar.

Në përmbushje të kësaj dispozite, e cila madje prevalon edhe ndaj legjislacionit vendas, Kuvendi duhet të bëjë korrigjimin e kësaj situate nëpërmjet ngritjes së një Komisioni Hetimor Parlamentar, që duhet të verifikojë të gjitha shkeljet ligjore në të dyja këto procese.

Me respekt për pjesëmarrjen tuaj

Luan Daci


Shtuar 4.01.2022 12:28