U kapen duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohen dy shtetas në Gjirokastër

Policia ka godituar një tjetër rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, dhe si rezultat ka vënë në pranga dy shtetas, që u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.

“Nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestuan në flagrancë shtetasit Y. Ç., 52 vjeç dhe S. M., 49 vjeç, banues në Tepelenë.

Shtetasit Y. Ç. dhe S. M., u kapën në aksin rrugor  Përmet-Tepelenë, në vendin e quajtur Ura e Dragotit, duke transportuar me automjetet tip “Nissan” dhe “Benz”,  13 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjet dhe 4 aparate celular.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë./albeu.com


Shtuar 19.09.2021 09:10