Ka dalë sot para gjykatës Altin Morin, 43-vjeçari me detyrë shef i Stërvitjes Ushtarake në repartin e RENEA-s, i cili u arrestua disa ditë më parë teksa po lëvizte me një automjet tip Audi në zonën e Kodrës së Diellit me 113 mijë euro brenda. Gjithashtu iu gjetën dhe sekuestruan bashkë me eurot edhe reth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund.
Para uniformave blu Morina është shprehur se nuk ka kryer asnjë vepër penale pasi sipas tij, paratë janë të ligjshme dhe janë tërhequr në bankë.
Ai është shprehur se paratë sapo i kishte marrë nga një mik i tij biznesmen në zonën e “Kodrës së Diellit” kur ndërhyu Policia, e cila e kishte survejuar pas sinjalizimeve të marra në rrugë operative.
“Paratë janë të ligjshme dhe vijnë nga një biznes. Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mia tek një mik. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme dhe nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal”, ka thënë Morina.
Pavarësisht këtyre pretendimeve të të arrestuarit, Policia dhe Prokuroria ka dyshime se burimi i këtyre të ardhurave nuk është i ligjshëm dhe punonjësi i RENEA-s ka shpërdoruar detyrën, duke u vënë në shërbim të këtij aktiviteti.
Edhe në fillimet e karrierës së tij Altin Morina është vënë në pranga pasi kundërshtoi kolegët e tij, teksa ishte duke punuar si “bodyguard” në një lokal nate në zonën e Bllokut.
Në fakt, ai në bashkëpunim me të tjerë persona që ishin pjesë e Policisë dhe e Gardës dhunuan një klient të lokalin dhunë që detyroi personat e pranishëm në atë ambient të telefonin policinë dhe efektivët e Komisariatit nr. 2 mbërritën në vendin e ngjarjes.
U bë me dije se Morina, aso kohe pjesë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, kundërshtoi dhe u përplas edhe me një efektiv të këtij komisariati e për pasojë edhe u vu në pranga.
Por, shpejt ai do të rikthehej në radhët e bluve duke u ngjitur deri në shef komisariati viteve të fundit dhe më pas duke kaluar në repartin RENEA.