Policia e Matit ka finalizuar fazën e dytë të operacionit “Kreshta të pastra”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua një 33-vjeçar dhe u asgjësuan 350 bimë narkotike cannabis sativa, që u gjetën të kultivuara në një zonë të pyllëzuar në fshatin Macukull në Mat.
Policia bën me dije se 33-vjeçari, autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve, u kap duke punuar në njërën nga parcelat që kishte kultivuar bimë.
Ai tentoi të largohej, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij.
Më herët, gjatë fazës së parë të këtij operacioni u asgjësuan 164 bimë canabis dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar.
Mësohet se 33-vjeçari ishte banues në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme./Albeu.com./